Deputetët e rinj, fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit po regjistrohen për legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në mesin e shumë deputetëve në Kuvendin e Kosovës janë regjistruar edhe Bekë Berisha, Albena Reshitaj dhe Arbër Tolaj, që të tre nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Para gazetarëve, Bekë Berisha, tha se për çdo gjë që është në të mirë të qytetarëve do të votojnë pro.
“Po sot u regjistruam si deputetë, ne jemi në opozitë siç dihet, po presim sukses për vendin, për qytetarët. Ne jemi shpreh për çështje nacionale, për qytetarët, për çka ka nevojë ne jemi aty, jo për të bllokuar proceset, por për t’i çliruar ato”, tha Berisha, raporton EO.
Ai u pyet edhe për kundërshtimin që po e bëjnë disa parti politike për mosndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.
“Sa i përket Autostradës së Dukagjinit, janë format e Parlamentarizmit që do të mundohemi ta bëjmë të mundshëm që të ndodh, ajo është investim i nevojshëm për qytetarët e dukagjinit dhe të Kosovës”, tha Berisha.
Deputetja e zgjedhur, Albena Reshitaj, e cila për herë të parë u regjistrua si deputete në Kuvendin e Kosovës, tha se është përgjegjësi e jashtëzakonshme të jesh pjesë e Parlamentit.
Ajo tha se do të japin maksimumin që të bëjnë krenarë të gjithë ata që u dhanë votat.
“Mirë ishte gjithçka në rregull, deputetët janë duke u regjistruar. Fillimisht dua të falënderoj të gjithë qytetarët që na kanë besuar dhe na kanë dhënë mundësinë që të jemi deputetë të Republikës së Kosovës, është një privilegj, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme të jesh pjesë e Parlamentit, besoj që do të japim maksimumin tonë edhe si përfaqësues të AAK-së në Parlament që të bëjmë krenarë të gjithë ata që na besuan, por normalisht edhe të japim kontributin tonë secili në aferat aty ku kemi eksperiencë dhe ku jemi më të mirë”, tha ajo, raporton EO.
Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Arbër Tolaj, tha se do të jenë një zë i fuqishëm në realizimin e kërkesave të qytetarëve.
“Aleanca gjithmonë si subjekt politik është parimorë. Gjithmonë kur bëhet fjalë për çështjet madhore të shtetit nuk kemi divergjenca, por jemi shumë kompakt dhe besoj që gjithmonë do të jemi ashtu siç kemi qenë deri më tani një zë i fuqishëm në kërkesat dhe realizimin e nevojave të qytetarëve të vendit”, tha ai, raporton EO.