Është nënshkruar kontrata “Rehabilitimi i linjës së 10-të hekurudhore, të segmentit Fushë Kosovë – Hani i Elezit në gjatësi prej 65 km”, raporton Ekonomia Online.
Kontrata është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i Infrakos-it Agron Thaçi dhe Drejtori Gjeneral i GCF-së Eduardo Rossi.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka sqaruar se i gjithë projekti do të përfundojë për 24 muaj dhe do të jetë gati për qarkullim në pranverën e vitit 2021.
“Sot është ditë vërtetë e mirë, ditë feste për faktin se nga sot fillojnë punimet për rinovimin, rehabilitimit të njëri nga sektorët e rëndësishëm të hekurudhave”.
“Punimet zgjasin 24 muaj që i bien se në pranverë të vitit 2021 do kemi vijën hekurudhore të kualitetit të pranueshëm, por hekurudha që do jenë në funksion të qarkullimit të mallrave dhe njerëzve”.
“Anët e mira janë se ky është investim i përbashkët. Investon populli i Kosovës, por po ashtu edhe BE. kur themi paratë e veta Kosova i ka hua, por do t’i kthejë ato”.
Kreu i ekzekutivit tha se shumë shpejt do të fillojnë punimet edhe në hekurudhën nga Peja deri në Shqipëri.
“Janë edhe dy seksione të tjera të nevojshëm. Edhe për ato së shpejti do t’i kemi të gatshme, nuk jemi larg nënshkrimit të kontratave për to”.
“Mund të ndodhë në 12 muaj dhe në pranverën e viti 21 jo vetëm që e kemi të përmbyllur seksionit Fushë-Kosovë Han i Elezit, por do ketë edhe të reja”.
“Hekurudha deri në Pejë dhe deri në kufi në Shqipërinë. Besoj se do ta bisedojmë këtë. Do të ketë edhe vende të punës, kompani vendore dhe gjenerim ekonomik”.
Ministri i Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj, ka sqaruar se projekti do të kushtojë 210 milionë euro, para të Qeverisë, me grante të IPA dhe BERZH.
“Nga sot do të fillojë implementimi i projektit 210 milionë euro, para të siguruara nga Qeveria, por me ndihmë të fondeve të IPA-së dhe BERZh-it. Pikënisje e një investimi të madh, ne do vazhdojmë të procedojmë më tutje edhe për segmentin Prishtinë-Mitrovicë”.
“Ajo Fushë Kosovë-Pejë është në fazën e projektimit po ashtu po punimet për linja të tjera edhe në pikën kufitar”.
“Edhe sistemi hekurudhor është prioritet në qeverinë e Kosovës. Duke lidhë tri lloje të transportit, rrugor, ajror dhe këtë hekurudhor Kosova lidhet me korridore të rëndësishme dhe kjo medoemos do shënojë rritje të ekonomisë”.
Kryeshefi ekzekutiv i hekurudhave, Agron Thaçi, ka thënë që do bëhen përpjekje që të rikthehen edhe linjat e dikurshme, raporton EO.
“Do kemi një linjë e cila do jetë linjë moderne që i plotëson të gjitha kriteret e BE dhe që do mundësojë të plotësoj kriteret e trafikut hekurudhor”.
“Ne do krijojmë kushte dhe mundësi që trenat prapë të kthehen nga Mynheni dhe pse jo të rikthehen linjat e dikurshme”.
Përfaqësues i BE në Kosovë, Luigi Brusa, ka thënë se për fazën e dytë të projektimit do të ndahen rreth 18 milionë euro grante.
“Jemi duke bë këtë koncept më interesant për financimin të Kosovës. Në fazën parë është 39-40 milionë euro duke përfshi fazën e projektimin dhe do jetë edhe pjesa e dytë ndërmjet Fushë-Kosovës dhe Mitrovicës”.
“Ne do ofrojmë grant 17-18 milionë dhe po ashtu po përgatisim fazën e tretë me kufirin me Serbinë. Ne kemi nisë një udhëtim sepse do ketë ndikim shumë pozitiv në ekonominë e Kosovës”.