Shqipëria do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin mars, ndërsa lista e lojtarëve të ftuar për këto dy ballafaqime është publikuar të shtunën nga përzgjedhësi i “kuqezinjve”, Edoardo Reja.
Në listën e 26 lojtarëve që kanë marrë ftesë nga tekniku italian, ka edhe lojtarë që vijnë për herën e parë në përfaqësuesen kuqezi, është shkruar në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Elhan Kastrati, portier i Cittadellas në Serie B, Kristjan Asllani, mesfushor i Empolit dhe Adrian Bajrami, mbrojtës i Benficas, janë ftuar për herën e parë me ekipin e parë.
Bajrami ishte grumbulluar me Përfaqësuesen U21 të Shqipërisë, por më pas ai mori ftesën nga ekipi senior.
Te “kuqezinjtë” është rikthyer sulmuesi Giacomo Vrioni që luan në Bundesligën austriake me Tirolin, si dhe mbrojtësi Ivan Balliu, që është pjesë e Rayo Vallecanos në La Liga.
Ndeshja e parë miqësore e Shqipërisë me Spanjën do të luhet më 26 mars në Barcelonë, kurse me Gjeorgjinë, “kuqezinjtë” do të luajnë më 29 mars në stadiumin “Air Albania”.