Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka shqyrtuar Raportin e shoqërisë civile për të drejtat e njeriut në Kosovë në vitin 2020, ku u theksua problemi i zvarritjeve të rasteve në gjykata. Për këtë u rekomandua që qytetarët të kompensohen në rast se lënda e tyre zvarritet më shumë se 10 vjet, raporton Ekonomia Online.
Ish-avokati i popullit, Hilmi Jashari ka treguar se raportin për të drejtat e njeriut gjatë viti 2020 e kanë hartuar bashkë me 34 organizata, nga i cili raport kanë dalë me 100 rekomandime dhe 300 referenca.
“Po e bëjmë raportin e dytë të hartuar me kontributin e 34 organizatave në tri gjuhë, shqip, anglisht e në gjuhën serbo-kroate. Ka 100 rekomandime për institucionet e Kosovës me mbi 300 referenca që raporti të jetë sa më i besueshëm. Është trajtuar në 4 pjesë”, është shprehur ai.
Jashari ka treguar se ka mangësi të zbatimit të Ligjit sa i përket gjykimit të paanshëm.
Po ashtu ai ka theksuar se në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë zvarritja e rasteve në gjykata. Kurse ai ka propozuar që në rastet kur shtyrja e lëndëve bëhet më shumë se 10 vjet atëherë duhet hartuar një Ligj që kompenson qytetarët.
“Elaborojë disa nga të gjeturat kryesore të raportit tonë. Në pjesën e parë kemi të trajtuar lirinë dhe sigurinë e personit. Ne pjesën e dytë është gjykimi i paanshëm, ku kemi gjetur mangësi të ligjit që nuk janë të zbatueshme. Ka pasur shumë raste kur masat paraburgimore shprehën në mënyrë shumë rutinore nga prokurorët, dhe jo në pajtim me Konventën Evropiane e Kodin Penal. Pastaj te gjykimi i drejtë dhe i paanshëm kemi probleme të jashtëzakonshme ku shkelet e drejta pasi zvarriten shumë rastet. Në vonesë më shumë se 10 vjet këta persona duhet të rikuperohen ose kompensohen andaj është rekomandim që të hartohet një ligj”, ka shtuar ai.
Ish – avokati i popullit gjithashtu ka kërkuar që në Kodin Penal të futet Ligji për trajtimin çnjerëzor te personave.
“Tutje sa i përket lirisë dhe keqtrajtimit ju e dini që kemi Konventën kundër torturës, trajtimi çnjerëzor është zbrastira në Kodin Penal tonë. Ka raste kur personat mund të ndihem të trajtuar në mënyrë jo njerëzore dhe është mirë të futet në Kodin Penal”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se shpenzimet e trajtimit të pandemisë kanë ndikuar negativisht te qytetarët ekonomikisht dhe ka pasur edhe ndikime në shëndetin mendor.
“Raporti konstaton që efekti pandemi ka reflektuar te shpenzimet qe kanë pasur qytetarët në trajtimin e pandemisë sepse trajtimi ka dalë nga vetë xhepat e qytetarëve. Në Kosovë ka pasur rritje të pasojave në shëndetin mendor të qytetarëve gjatë pandemisë por nuk ka ndonjë raport të detajuar për shkak të mungesës së financimit”, ka thënë ai.
Gjithashtu ai ka kërkuar një strategji të Qeverisë të orientimit të profileve të studentëve me tregun e punës.
“Kam kuptua që në Kosovë janë mbi 31 kolegje të cilat çdo vit kanë dhënë kuadro, ku vetëm një kolegj jep 3000 jurist në vit, andaj kërkohet një nevojë strategjisë që të shikohet nevoja e tregut të punës dhe të orientohen në profilet që ata i dëshirojnë”, është shprehura ai.