Rekordi i zi i Kuvendit, rrumbullak 50 dështime të një seance!

Prishtinë | 21 Kor 2025 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

As në përpjekjen e 50-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

Edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Kryesuesi Avni Dehari edhe kësaj here ua ndërpreu fjalën deputetëve: Elmi Reçicës të PDK-së, Armend Zemajt të LDK-së dhe Time Kadrijajt të AAK-së.
Në seancë të pranishëm ishin 104 deputetë. 53 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 23 korrik.

Peci: Nëse s”do të ketë reflektim nga Nisma dhe LDK-ja, t’i shohim mundësitë për zgjedhje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, tha se kryeministri Kurti u ka bërë oferta konkrete për bashkëqeverisje disa partive, përfshirë Nismën Socialdemokrate dhe në një fazë më të hershme edhe LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se kjo është një periudhë vendimtare, dhe të gjitha partitë duhet t’i thërrasin arsyes për të dalë nga bllokada institucionale.

“Përderisa i ezauruam 50 seanca dhe jemi në një javë që gjykata ka thënë që 30 ditë janë të rëndësishme për konstituimin e Kuvendit, është java që ëshë një mundësi ideale që partitë politike të reflektojnë dhe të lëvizin nga kjo qasje rigjide.

Në një situatë ku dy parti kanë ofertë për bashkëqeverisje, në një situatë kur jemi në javën që unë dua të besoj, që do të ketë reflektim nga partitë politike. Në rast se nuk do të kemi reflektim nga Nisma dhe LDK-ja, është faza kohore që të gjitha partitë t’i thirrin arsyes dhe të shohin mundësitë reale të diskutimit që të shkojmë në zgjedhje”, tha ai.

Çitaku: Kurti po synon ta shuajë zërin tonë, ka uzurpuar zyrat dhe kompetencat

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas dështimit të vazhdimit të 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokim të qëllimshëm të institucioneve, raporton Ekonomia Online.

“Nga përfundimi i procesit zgjedhor, 162 ditë, pa institucione funksionale, pa një Kuvend të konstituuar, me një Qeveri që ka uzurpuar zyrat dhe kompetencat dhe që në mënyrë të jashtëligjshme vazhdon të marrë vendime që ndëshkojnë qytetarët e Republikës së Kosovës. Për 162 ditë, Albin Kurti ka synuar të shuajë zërin tonë dhe të na pamundësojë ushtrimin e detyrave që na i ka besuar qytetari i Republikës së Kosovës”, u shpreh tutje Çitaku.

Abdixhiku: Pritet një interpretim i ri nga Gjykata Kushtetuese, një e kemi, s’po respektohet

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se pas vendimit të Gjykatës Supreme, i cili, sipas tij, konstaton se ministrat dhe kryeministri janë “uzurpatorë të qeverisë”, është e domosdoshme që Prokuroria të ndërhyjë, duke e quajtur situatën aktuale në vend si të pashembullt dhe tragjike, raporton Ekonomia Online.

“Qëndrimet e LDK-së i dini, pozicionet e LDK i dini, por ajo që është e rëndësishme është se po bëhet një kauzë që nga vendimi i Gjykatës Supreme, që e konstaton përfundimisht që ministrat dhe kryeministri janë uzurpatorë të qeverisë. Prokuroria duhet të veprojë, sepse është e paparë. Dikush që uzurpon institucionet nuk sheh ngut për të bërë zgjidhje politike. Nuk i lë hapësirë zhvillimit demokratik, as fjalës së lirë të deputetëve nëpërmjet uzurpimit të ulëseve të Kuvendit. Nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura. Ajo që pritet pas afatit 30-ditor që kalon më datë 25, është të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese. Ne një interpretim e kemi, sikur nuk kemi një respektim të saj”, u shpreh Abdixhiku.

Kadrijaj: Data 26 është shumë afër, Kurti e ka mundësinë e fundit për konstituimin e Kuvendit

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se afati i caktuar nga Kushtetuesja po afron dhe Albin Kurti e ka mundësinë e fundit për konstituimin e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

“Nuk po e shoh se ku është qëllimi i takimeve të tyre, as cilat janë kërkesat e Limajt dhe as Kurtit. Afati i Kushtetueses po afron, i 26-ti është shumë afër dhe Kurti e ka mundësinë e fundit për konstituimin e Kuvendit.
Pas këtij afati, me gjasë, Gjykata do t’ia japë mundësinë një partie tjetër.
I kam ra pishman edhe për ato që kam thënë, me gjasë nuk do ta votoj asnjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kadrijaj.

Të ngjashme