Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema përmes një letre ka sqaruar dorëheqjen e prorektorit, Naser Sahiti. Dema ka thënë se dorëheqja e tij lidhet me mospajtimet që kanë pasur në lidhje me përgjegjësitë që lidhen në fushën ku ka qenë i angazhuar prorektori Sahiti.
“Ju njoftoj që sot me datë 3 shtator 2018, prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, prof. dr. Naser Sahiti ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë. Arsyet e dorëheqjes së prorektorit Sahiti lidhen me mospajtimet tona rreth përgjegjësive që lidhen me fushën në të cilën ka qenë i angazhuar ai”, ka shkruar Dema.
Dema po ashtu në letër ka falënderuar prorektorin Sahiti për angazhimin e tij që ka pasur në çështjet për të cilat ka punuar deri më tani.
“Përkundër dorëheqjes së tij, prorektori Sahiti ka ofruar bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në çështjet në të cilat ka punuar deri me tani. Me këtë rast, falënderoj prorektorin Sahiti për angazhimin e tij dhe i uroj sukses në karrierën e mëtutjeshme akademike”, ka shkruar Dema.