Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar dhe regjistruar për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror 2026, i cili do të mbahet në Davos, Zvicër.
Pjesëmarrja e Rektorit në Open Forum Davos – The Future Starts Now 2050 përfaqëson një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për UBT-në dhe rolin e saj në arsimin e lartë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Kjo pjesëmarrje paraqet gjithashtu një mundësi të veçantë për të kontribuar drejtpërdrejt në diskutime dhe takime globale që formësojnë të ardhmen, si dhe për të prezantuar modelin UBT 5S dhe konceptin UBT Smart Self-Sustainable City, si modele të së ardhmes.
Ky model përputhet plotësisht me temat kyçe që do të trajtohen në Open Forum Davos, duke reflektuar një qasje bashkëkohore ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe përgatitjes së kapitalit njerëzor për sfidat e së ardhmes.
Modeli, i konceptuar nga Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe i zbatuar edhe në praktikë, po gjenë gjithnjë e më shumë interes për prezantime, studime dhe publikime, si dhe po vlerësohet si një model praktik tashmë i implementuar në ekosistemin e UBT-së. Programi i këtij viti në Davos fokusohet në pesë sfida kryesore globale, ku dialogu dhe bashkëpunimi publiko-privat janë thelbësore për progres.
Në qendër të diskutimeve janë rritja ekonomike, qëndrueshmëria dhe inovacioni si imperativa ndërsektoriale, të cilat do të udhëheqin qasjen e liderëve ndaj kompleksitetit global dhe krijimit të mundësive të së ardhmes.
Forumi Ekonomik Botëror në Davos mbledh liderë botërorë nga qeveritë, biznesi, shoqëria civile dhe akademia, me qëllim zhvillimin e dialogut të avancuar dhe bashkëpunimit global për adresimin e sfidave më të rëndësishme të kohës sonë.