Këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës, të mërkurën pritet ta zgjedhë rektorin.
Mbledhja e cila pritet të ketë 5 pika pritet të nis në ora 10:00 ku fillimisht do të bëhet intervistimi i kandidatëve e më pas do të votohet, raporton “Koha”.
Në garë janë Naser Sahiti, Blerim Rexha dhe Faton Berisha. Kandidat për këtë pozitë ka qenë edhe Zenun Halili por javën e kaluar Agjencia Kundërkorrupsion konstatoi se zgjedhja e tij do të përbënte konflikt interesi.
Para AKK-së një mendim të njëjtë e kishte dhënë edhe një Komision profesional i emëruar nga senati. Ish-kandidati për deputet i AAK-së, Zenun Halili deri pak ditë para se t’i hynte garës për rektor, kishte qenë pjesë e Këshillit drejtues të Universitetit.
Sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, zyrtarët e lartë, në të cilën kategori ndodhen edhe anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, në dy vjetët e ardhshëm nuk kanë të drejtë të punësohen ose të emërohen në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, në institucionin ku kanë ushtruar funksionin publik.