Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj mori pjesë në Konferencën e Rektorëve që u mbajt në Universitetin e Coimbras në Portugali, në kuadër të Lojërave të Universiteteve Evropiane 2018, organizuar nga Federata Evropiane e Sporteve Universitare. Në këtë konferencë, ishin të pranishëm 40 përfaqësues të universiteteve të ndryshme evropiane, ku u diskutua për rëndësinë e organizimit të sportit universitar.
Me këtë rast Rektori i UPz-së e ka nënshkruar deklaratën e Konsensusit Coimbra mbi përmirësimin e karrierës së dyfishtë, duke e vlerësuar si një çështje kyçe për sistemin arsimor dhe për të gjitha organizatat sportive. Në bazë të kësaj deklarate institucionet e arsimit të lartë duhet të krijojnë dhe të zhvillojë një mjedis të duhur të karrierës së dyfishtë për studentët-atletët, duke përfshirë kuadrin rregullator dhe financiar të përshtatshëm, duke respektuar dallimet mes sporteve.
Në këtë konferencë, morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve të ndryshme të sporteve në Evropë. Së bashku me përfaqësuesit e universiteteve diskutuan për përvojat më të mira sa i përket organizimit të sportit universitar, financimit etj.
Konferencën e hapi presidenti i Asociacionit Evropian të Sporteve Universitare, Adam Roczek, i cili foli për rëndësinë në aspektin shëndetësor për studentët, që ka organizimi i lojërave sportive ndërmjet universiteteve. Sipas tij, sporti është një prej pjesëve esenciale të jetës shoqërore edhe në kontekstin akademik.
Rektori Vataj e vlerësoi se si hap të rëndësishëm për UPZ-në pjesëmarrjen në këtë konferencë, ku në të ardhmen edhe studentët e UPZ-së do të mund të marrin pjesë.
Lojërat e Universiteteve Evropiane Coimbra 2018 janë ngjarja më e madhe sportive në Evropë e vitit dhe ngjarja më e madhe multisport e organizuar ndonjëherë në Portugali. Mbi 4.000 pjesëmarrës nga universitetet kryesore sportive në Evropë erdhën për të konkurruar në 13 sporte në mes të 15 dhe 28 korrikut 2018.
Krahas garave sportive, lojërat fokusohen në aspektet arsimore dhe sociale të sportit universitar në Evropë, duke përfshirë konferenca dhe punëtori në temën Anti-Doping, Përfshirja, Karriera e Dyfishtë, si dhe Konferenca e Rektorëve. Trashëgimia e lojërave do të jetë dukshëm e qartë, pasi mbështetja nga shumë institucione nga e gjithë Evropa dhe komuniteti lokal do të ndihmojnë zhvillimin e objekteve sportive universitare në Coimbra. Lojërat gjithashtu morën mbështetje nga programi Erasmus + i Bashkimit Evropian.