Përfundimi i punëve në autostradën që lidh Kosovën me Maqedoninë, varet nga ngritja e temperaturave.
Autostrada që lidh kryeqytetet Prishtinën dhe Shkupin, ishte paraparë të përfundonte në fund të këtij viti, por, në bazë të punëve në terren, lëshimi në qarkullim i kësaj autostrade mund të shkojë përtej këtij afati.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se në nevojiten edhe 21 ditë punë për asfaltimin e Urës se Kaçanikut, por që për realizimin e këtij procesi duhet të pritet ngritja e temperaturave mbi 5 gradë celsius.
“Autostrada Prishtinë-Shkup do të përfundojë me përmirësimin e kushteve atmosferike. Kanë mbetur vetëm 21 ditë në shtrimin e asfaltit në urën 407”, tha Kadriu.
Ura e Kaçanikut llogaritet ura më e gjatë në rajon, gjatësia e se cilës është 5733 metra.