“Relux” nis eksportin e ngjyrave për Gjermani

Prishtinë | 14 Shk 2017 | 12:06 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompania “Relux” ka nisur eksportin e ngjyrave për në Gjermani. Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe zyrtarë qeveritarë thanë se kjo është një tregues se bizneset vendëse po i plotësojnë standardet ndërkombëtare të cilësisë së mallrave për t’i eksportuar në vendet e BE-së, raporton Ekonomia Online.

Eksporti i kësaj kompanie është bërë pas marrëveshjes me një kompani gjermane për të depërtuar produktet e “Reluxit” në tregjet gjermane dhe austriake.

Kompania “Relux” merret me prodhimin e ngjitësit dhe rrafshuesit të stiroporit, ngjyrës së brendshme dhe të jashtme e fasadave.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, që ishte i pranishëm në këtë ngjarje tha se kjo është shenja më e mirë që bizneset vendëse po i plotësojnë standardet për të eksportuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

“Isha i nderuar me ftesën që më bëri kryetari i OEK-ut, Safet Gëxhaliu, që me qenë prezent sot me ngarkesën e parë që po bëhet për Gjermani. Mendoj që kjo është shenja më e mirë që bizneset tona po i plotësojnë standardet ndërkombëtare të cilësisë së mallrave për t’i eksportuar në vendet e BE-së. Ne jemi munduar qe dy vjet që t’i ndërmarrim disa politika fiskale bashkë me OEK, në fakt shumica e propozimeve kanë qenë nga OEK-u dhe po më vjen shumë mirë që tash po e shohim efektin final të këtyre politikave”, tha Hoti.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se këto vizita përveç një motivimi psikologjik, ato i bëjnë që të punojnë edhe më tutje dhe dëshmojnë që sektori privat është vënë në binarë të vet dhe se nuk ka kthim mbrapa.

“Sot është një ditë e një rëndësie të veçantë. Një ditë që promovohet fuqia e sektorit privat, promovohet standardi i prodhimeve ‘Made in Kosova’, por mbi të gjitha promovohet një frymë e re e  dialogut publiko privat ku do të thotë të gjithë jemi pjesë e procesit. Është koha ku Kosova t’i ketë laboratorët e vet”, tha Gërxhaliu.

Pronari i kompanisë “Relux”, Ramiz Gashi, tha se kjo është një dëshmi se edhe në Kosovë ka produkte me standarde të larta të cilat nuk ka nevojë të importohen, madje i plotësojnë dhe standardet për eksport në një treg siç është Gjermania.

“Kjo është hera e parë që po bëjmë një eksport për shtetin e Gjermanisë, kemi bërë marrëveshje me një firmë gjermane për dhjetë vitet e ardhshme, që do ta mbulojmë tregun gjermano-austriak me ngjyrat tona. Dita ditës jemi duke e mbuluar edhe tregun e Kosovës. Sot me prezencën e ministrit është një dëshmi që e kemi përkrahjen e tyre”.

Të ngjashme