(E përditësuar) – Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, i njohur si komandant Remi, deklaroi se nuk ka pasur procedura që janë ndjekur kur dikush arrestohej.
Po ashtu, ai tha se ka pasur thjeshtë ndalim, ashtu që të mos dëmtohej misioni i UÇK-së.
Fillimisht, prokurorja Clare Lawson e ka pyetur atë se a është ndaluar apo arrestuar ndonjë brenda zonës së Llapit për shkak të mosmarrëveshjeve private.
Në lidhje me këtë, ai tha se janë përfolur 2-3 raste për zënka ndërmjet vetë fshatarëve dhe se aty kanë ndërhyrë.
“I kemi ndalu derisa janë qetësu edhe ju është tërheqë vërejtja” shtoi tutje dëshmitari Mustafa.
Gjithashtu, prokurorja Lawson e ka pyetur se a ka qenë pjesë e politikave të UÇK-së ndalimi i “bashkëpunëtoreve”.
Dëshmitari Mustafa tha se i kanë arrestuar edhe ata në rastet kur ata kanë qenë të ekspozuar afër vijës së frontit apo vendeve ku kanë mundur që t’i rrezikojnë, duke shtuar që këto çështje nuk kanë qenë prioritet i tyre.
Ndërkaq, në lidhje me disa komunikata, që sipas prokurores Lawson janë nxjerrë nga UÇK dhe se kanë të bëjnë me “bashkëpunëtorët”, dëshmitari Mustafa tha se janë publike dhe se nuk i kujtohen, por sipas tij, ato kanë qenë edhe me një dozë propagande për ta paraqitur edhe angazhimin për lirimin e vendit.
Tutje, dëshmitari Mustafa tha se pajtohet me gjithçka që ka thënë më herët, pasi prokurorja Lawson i ka paraqitur një pjesë të deklaratës të mëhershme, ku sipas saj dëshmitari Remi kishte deklaruar se ka qenë në shtabin e përgjithshëm kur ishte diskutuar kjo çështje e “bashkëpunëtorëve”.
“Kam mundur të kem qenë aty, por pa interes për mua. Koha kur ka ardh kjo është pas ofensivës që folëm më herët”, ka thënë Musstafa.
Ndërkaq, për mbledhjet e shtabit të përgjithshëm, dëshmitari Mustafa tha se kanë filluar vonë, pas ardhjes së OSBE, duke shtuar që më herët kanë qenë shumë të shkurtra dhe jo komplete.
Tutje, ai deklaroi se autoritet për urdhrin që dikush të arrestohej kishte komandanti i zonës dhe komandanti i brigadave.
“Por unë nuk e di se na është thanë kush ka të drejtë nga shtabi i përgjithshëm. Po ju flas nga praktika në regjionin ku unë kam qenë komandant”, shtoi Mustafa.
Tutje, ai deklaroi se nuk ka pasur procedura që ndiqeshin kur dikush arrestohej, duke theksuar se ka pasur thjeshtë ndalim, ashtu që të mos dëmtohej misioni i UÇK-së.
“Është paraqit rasti se një person është problematik në një fshat, ne kemi marrë masa dhe e kemi arrestuar, s’ka pas angazhim të trupave qysh po menoni për me arrest një person”, sqaroi më tej Mustafa.
Gjithashtu, ai deklaroi se nuk kanë pasur proces të organizuar kundër personave të ndaluar.
Sipas tij, ata janë ndaluar thjeshtë për arsye ushtarake, deri sa ka kaluar rreziku dhe se kanë mundur që të vizitohen nga familjarët e tyre, si dhe organizata të ndryshme.
Ndërkaq, për lirimin e të ndaluarve, dëshmitari Mustafa deklaroi se ishte kompetent ai dhe stafi i tij.
I njëjti deklaroi se edhe vetë ka marrë vendime të tilla, duke pohuar se ndonjërit të ndaluar i është dhënë amnisti.
Ndryshe, trupi gjykues ka pranuar si provë një dokument të paraqitur nga prokurorja Lawson
Sipas dëshmitarit Mustafa, ky dokument është arsyetim përse është mbajtur një person dhe pastaj është liruar.
Ky dokument është lexuar me zë nga dëshmitari Mustafa pas kërkesës së prokurores Lawson, e që sipas tij është evidencë administrative, në të cilën bëhet fjalë për Rushit Baloci, për shkak të bashkëpunimit me serb me qëllim të përfitimit të paligjshëm.
Po ashtu, si provë materiale u pranua edhe një dokument në versionin anglisht, ku sipas dëshmitarit Mustafa bëhet fjalë për ndalimin e një personi që ka kryer veprën penale të vjedhjes, e që emrin e tij kërkoi që mos ta bëjë të ditur.
Ndërkaq, paraprakisht, trupi gjykues ka autorizuar shtimin e listës së personave të ndaluar në listën e provave materiale të ZPS-së dhe përdorimin e këtij dokumenti me dëshmitarin Mustafa, kërkesë kjo e prokurorisë gjatë seancës së sotme
Remi flet për qendrat e ndalimit në Zonën Operative të Llapit
Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi ka folur për qendrat e ndalimit të UÇK-së në këtë zonë.
Fillimisht, dëshmitari tha se ‘‘po, kemi përfunduar një proces gjyqësor për këtë dhe mund ta merrni, ka qenë proces i udhëhequr kundër nesh’’, kur u pyet nga prokurorja Clare Lawson nëse në Zonën Operative të Llapit kishte njerëz të ndaluar nga UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, ai tha se këta kanë qenë njerëz që binin ndesh me rregullat të luftës dhe nuk kanë qenë të interesuar për etnicitet.
‘‘Meqë po pyetni, ka mund të ketë serbë, shqiptarë, nuk jam i sigurt për të tjerët, por qytetarë të vendit tonë’’, tha ai.
Këta persona sipas tij ishin njerëz që kundërshtonin misionin e UÇK-së dhe se në përgjithësi numri i të ndaluarve nuk kalon numrin treshifror.
Mustafa më tej tha se tek njësia Brigada 151, 152 dhe komanda e zonës ka mundur të ketë një shtëpi ndalimi, tutje përmendi edhe vendet Bradash, Llapashticë, Buricë, Patok, Majac dhe Bajgorë.
Sipas tij, personat e ndalur i shoqëronte personali i caktuar i Policisë Ushtarake (PU).
Ai tha se në Bajgorë, Shtabi ka qenë i vendosur në korrik-gusht dhe pjesën e parë të shtatorit dhe më pas kanë lëvizur për shkak të ofensivës serbe.
Mustafa tha se personat kanë mundur të kenë qenë të ndaluar për 2 orë, me ditë e edhe me javë, duke thënë se qendra e ndalimit ishte një shtëpi 3-4 dhoma sikur shtëpitë e tjera.
‘‘Ka vendime për këtë çështje dhe i ka gjitha evidencat, një vendim që është kry në gjitha shkallët nga UNMIK dhe EULEX në Kosovë’’, shtoi ai më tej.
Në vazhdim ai tha se pas 15 shtatorit, Shtabi ka lëvizur në Majac dhe Lupç, e në tetor kanë kaluar në Llapashticë.
Mustafa tha se janë ngritur menjëherë qendrat e ndalimit, si dhe aty kanë qenë njësi të tjera të Brigadës 151 dhe 152 për mbrojtje të Shtabit.
Po ashtu, tha se afër kishin edhe PU-ja, duke e përshkruar largësinë me objektin e tyre rreth 300-500 metra.
Mustafa tha se objekti i ndalimit në Llapashticë ishte pranë bazës së PU-së dhe se kishte shkuar disa herë, pasi që kishte shfrytëzuar kuzhinën aty edhe vetë.
Kur u pyet a ka parë të ndaluar, ai tha se ‘‘po, kemi drekuar bashkë me ta, jo në një tavolinë me ta po brenda dhomës, brenda kuzhinës’’.
Ndërkaq, kur u pyet se kur të ndaluarit janë lëvizur nga Llapashtica, tha se nuk i kujtohet por se qëndron pranë të thënave gjatë procesit gjyqësor.
Dëshmitari tha se të ndaluarit u dërguan në Majac dhe se edhe atë qendër e kishte vizituar kur ishte marrë vendimi për lirim të të gjithë të ndaluarave.
‘‘Vendim se nuk kemi pas kushte, ka qenë luftë gjithëpërfshirëse dhe kemi dashtë me u liru nga ta, të lirohen dhe të shkojnë ku është popullata, ka pas nga ta që janë bashkëngjitur UÇK-së, kanë shku të gjithë në vendin e tyre me përjashtim të një burgosuri që ka qenë përkujdesja deri në fund të luftës’’, sqaroi ai.
I pyetur se a i kujtohet ndonjë prej të ndaluarve, ish-komandant Remi përmendi emrin Enver Sekiraqa, duke shtuar se kjo i kujtohet se është folur më vonë pas luftës e jo kur ka qenë në atë vend.
Seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit Mustafa në sesion publik.
Remi thotë se e mori pozitën e komandantit pas rënies së Zahir Pajazitit
Rrustem Mustafa, ish-komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, tha se ka marrë pozitën e komandantit të kësaj zone pasi u vra Zahir Pajaziti.
“Me ramjen e komandantit Zahir Pajaziti, unë marr përsipër dhe organizimin e trupave të UÇK-së në zonën time, kurse miratimi nga Shtabi i Përgjithshëm për pozicionin tim ka ardhë në korrik ose gusht ‘98, si miratim formal”, tha ai.
Remi tha se ka pasur komunikim me luftëtarët që i ka njohur dhe e kanë parë të nevojshme të funksionojnë dhe se gradualisht kanë marrë lidhjen me Shtabin e Përgjithshëm dhe të tjerët të interesuar për të vazhduar luftën e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, kur iu lexua një pjesë nga libri ‘Lufta për Kosovën’, dëshmitari sërish tha se takimi ka qenë si marrëveshje për të vazhduar punën, por mund të quhet edhe vendim.
Mustafa tha se ishin të pranishëm vetë ai, Latif Gashi, Ilir Konushevci dhe Murat Ajeti.
Kur u pyet se kush ishin njerëzit që kontaktonin pasi ishin pajtuar të ketë kontakte me Shtabin e Përgjithshëm, dëshmitari tha se ‘‘ka qenë Adem Jashari, komandanti legjendar i themi ne’’.
Tutje, ai vazhdojë të tregojë se për herë të parë e kishte parë Rexhep Selimin kur ishte takuar bashkë me komandantin Adem Jashari, një ditë para se me të bëhej lufta në Prekaz, ku kishte rënë komandanti bashkë me familjen e tij Jashari.
Pra, ai pohoi se ishte takuar me Adem Jasharin në mbrëmjen e 4 marsit 1998 dhe tha se kishte shkuar në shtëpinë e tij bashkë me Shefki Fazliun.
“Në mbrëmje kam shku në shtëpi të Adem Jasharit bashkë më mikun tim Shefki Fazliu që ishim në studime, nga aty kemi vazhdu rrugën për një fshat ku Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Sylejman Selimi në vendin ku vizitonin të plagosur, më kanë marrë me vete…”, shtoi ai.
Po ashtu, dëshmitari Mustafa tha se ai ishte caktuar zyrtarisht nga Shtabi i Përgjithshëm pas një vizite që i është bërë në zonën e tij nga shefi i Shtabit dhe zëdhënësi i UÇK-së.
Ai tha se nuk i kujtohet nëse ka pasur anëtarë të tjerë të Shtabit në atë vizitë dhe nëse kanë konfirmuar edhe pozita të tjera për këtë zonë.
Mustafa tha se pjesë e takimit kanë qenë diskutimet për t’u angazhuar më mirë, për të mbajtur komunikim dhe për t’u përgatit për sfida të reja të luftës.
Prokurorja speciale i lexoi një pjesë të librit të Skender Zhitisë, e që përshkruan se ka qenë në atë vizitë edhe Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi e që dëshmitari Mustafa tha se nuk i prish punë të jetë edhe ashtu, por nuk i kujtohet.
“Nuk ka qenë e rëndësishme me e mbajt mend edhe nëse jam taku në atë kohë”, shtoi ai.
Ish-komandanti Remi në cilësi të dëshmitarit në këtë çështje tutje tha se detyrë e tij ishte organizimi i gjitha njësive pranë Zonës Operative të Llapit dhe gjithë punës që vinte për ndërtimin dhe strukturimin e zonës.
Ai tha se ka mbajtur takime të brendshme me komandantët e zonës së Llapit, por që me Brigadën 151 dh 152 takimet kanë qenë pothuajse ditore kurse tha se me Brigadën 153 nuk kanë mundur të takohen shpesh.
Po ashtu, ai sqaroi se janë munduar t’i trajnojnë ushtarët, por kohërat kanë qenë ashtu që shumë prej tyre kanë shkuar drejtpërdrejt në luftë pa trajnime.
I pyetur nëse si komandat ka nxjerrë urdhra, ai tha se po duke dhënë si shembull atë për dislokim të trupave, për angazhime në vijë mbrojtëse, për hapjen e rrugëve të ndryshme, pra detyra ushtarake në përgjithësi.
Në vazhdim, ai u pyet edhe për rregullore disiplinore të UÇK-së për të cilën tha se ka pasur disa lloje, madje eprorët e tij kanë bërë edhe vet rregullore.
Duke iu paraqitur një dokument (jo për publikun), dëshmitari Mustafa tha se nuk e njeh por kur iu lexua një pjesë e deklaratës së tij të mëhershme se të njëjtin dokument e njeh si rregullore për disiplinë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ai tha se s’ka arsye t’i ikë këtij dokumenti, dhe se pajtohet me atë që ka thënë më herët.
Tutje, ai tha se kujton disa raste që vartësit e tij kanë shkelur urdhrat e disiplinës si për shembull kanë prishur ambientin e luftës e që tha se si masa disiplinore kanë qenë kërcënimi se do demobilizohen, ndalimi për të shkuar në shtëpi deri te izolimi i përkohshëm, çarmatosja e ushtarit, marrja me punë fizike e të ngjashme.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Remi flet për kodet e përdorura në Zonën Operative të Llapit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, ka folur për kodet e përdorura në atë zonë.
Këto deklarime, i njëjti i bëri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Clare Lawson, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, ai tha se nuk iu kujtohet kur njësia BIA është ndarë nga Brigada 153 dhe se si njësi e veçantë tha se ka mundur të raportojë tek Zona Operative e Llapit.
Si dhe tha se kur kishte shkuar me Likoc për tu takuar me Kadri Kastratin, ka pasur shumë bashkëluftëtarë, andaj edhe gjatë seancës së djeshme është përgjigjur se nuk i kujtohej kush kishte qenë prezent.
Këtë e tha pasi prokurorja i lexoi një deklaratë të mëhershme që kishte thënë dëshmitari se ‘‘E njihja Hashim Thaçin se isha takuar një herë më përpara kur Kadri Kastrati u kyç në luftë, ne kemi parë njëri-tjetrin në Drenicë’’.
Ndërkaq, lidhur me emrin Ilir me kodin 106, tha se kodi është përdorur për të komunikuar me radio-lidhje e që sqaroi se kodi i tij kishte qenë 100.
Ai tha se kodet ishin punuar nga stafi i tij dhe se ai vetë i kishte miratuar kurse tha se ‘‘por e di se emërimet si ‘Dardania’, ‘Buna’, ‘Kështjella’ kanë qenë të miratuara nga Shtabi i Përgjithshëm, po numrat i kemi vendosë vetë’’.
Sipas tij, kodi ‘Dardania’ do të thotë anëtarët e komandës të zonës dhe njësitet që ishin pranë Shtabit.
Mustafa tha se kodi ‘Shpendi 109’ ishte Muharrem Ismajli, i cili ishte caktuar për tu kujdesur për njerëz të komandës.
Ndërkaq, tha se ‘Kështjella’ i referohej Brigadës 152 dhe se ‘Profa’ ishte komandanti i Brigadës.
Tutje tha se ‘Opiana’ i referohej Brigadës 151 dhe kodet ‘Luta’ dhe ‘Batusha’ ishin komandanti dhe zëvendësi i tij.
Dëshmitari Mustafa se kodi ‘Suleqiv 55’ mund të jetë një emër tjetër pasi atij iu kujtohej vetëm një i ndalur për të cilin tha se nuk beson se ka pasur kod.
Për kodin ‘Guri’, tha se i takon mbrotjes civile kurse ‘Blini’ i kujtohej për një ushtar të vrarë në luftë, por që tha se mund të jetë edhe kod për ndonjë fshat, e edhe për kodin ‘Lisi’ tha se mund të jetë emër për ndonjë ushtar.
Kurse, tha se edhe Policia Ushtarake (PU) ka pasur kod dhe se mund të jetë 111, por se nuk e di me saktësi.
Në vazhdim, ai u pyet nga prokurorja se a e njeh Skender Zhitinë, e që Mustafa u përgjigj se e njihte si ushtar e më pas epror të UÇK-së.
Për të, tha se nuk i kujtohet se e ka intervistuar, por se e di që i ka folur për librin që ka shkruar për të, që mban titullin “Zona Operative e Llapit – flet Komandat Remi”, mund ta ketë.
Duke i lexuar një pjesë të tij ku thuhet se PU kishte kodin ‘Zjarri’ nga numri 500 e më poshtë, dëshmitari tha sërish se nuk i kujtohet, por se mund të ketë qenë.
Tutje, dëshmitari tha se komunikimi në atë kohë nuk ka qenë i kënaqshëm dhe se kanë përdorur radio-lidhje, telefon satelitor ose takime sy më sy.
Ai tha se në fillim kishin pasur 3-4 radio-lidhje e më pas ishte rritur numri i tyre, duke thënë se ju kanë sjellë bashkatdhetarët nga jashtë.
Po ashtu, tha të njëjtën gjë edhe për telefonat satelitor duke shtuar se për shkak të numrit të vogël, personat për t’i përdorur kanë qenë të kufizuar.
Në vazhdim, ai sqaroi se sa herë ka pasur mundësi ka kontaktuar me Shtabin e Përgjithshëm, por tha se ‘‘kontakte të rregullta nuk kisha mujt me i thanë’’.
Ndërkaq, tha se ‘‘është e njëjta që thash tani’’, kur iu lexua një pjesë e deklaratës së mëhershme e që përfshinte ‘‘pyetje: ju thatë se kishit kontakte të rregullta me telefon?, përgjigje: po, pyetje: a ishin kontakte të përditshme?, përgjigje: jo, pyetje: të themi në janar ‘99 a mbanit kontakte me Shtabin e Përgjithshëm?, përgjigje: përpiqeshim të flisnim me telefonin por s’do të thotë se flisnim përditë’’.
Tutje, ai sërish përsëriti se kanë tentuar të kenë kontakte të përhershme me Shtabin e Përgjithshëm, duke shtuar se nuk ka pasur kufizime për askënd për të komunikuar me ta.
Remi po vazhdon edhe sot dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, edhe në seancën e të mërkurës po vazhdon dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit të 13-të me radhë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari Mustafa është duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, konkretisht prokurores speciale Clare Lawson, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e të hënës dhe pritet që të vazhdojë dëshminë edhe ditëve në vijim.
Seanca është duke vazhduar në sesion publik.
Paraprakisht, prokurorja Lawson ka kërkuar të shtohet në listën e provave një dokument që dëshiron ta përdorë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit.
“Është çështje anashkalimi sepse kemi pasur shume materiale, është bërë e ditur nga viti 2021, dokument që dëshmitari e ka identifikuar më herët, është i shkurtë dhe lidhet me çështjet që janë njoftuar dhe nuk cenon palët”, tha ajo kur u pyet pse nuk e kanë shtuar këtë dokument deri më tani.
Lidhur me këtë, trupi gjykues do të marrë një vendim gjatë ditës së sotme.
Ndërkaq, të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë kësaj seance janë të gjithë të akuzuarit.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. (Betimi për Drejtësi)