Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se flukset hyrëse të remintancave në Kosovë përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të financimit të huaj, duke dominuar kështu në diskutimet lidhur me burimet e rritjes ekonomike, zbutjes së hendekut të deficitit tregtar, uljes së nivelit të varfërisë në vend apo tërheqjes së investimeve të huaja.
“Kjo vëmendje e madhe kushtuar remintancave i atribuohet kryesisht madhësisë së këtyre prurjeve në raport me Bruto Produktin Vendor, natyrës së tyre të qëndrueshme krahasuar me flukset e tjera të financimit të huaj dhe efektit të tyre zbutës të varfërisë dhe papunësisë në vend”, thuhet në materialin studimor të BQK-së, përcaktuesit makroekonomikë të remintancave në Kosovë’, raporton televizioni publik.
Gjatë periudhës 2004-2016, remintancat kanë shënuar një normë mesatare rritje vjetore prej rreth 6 për qind, ndonëse ecuria e tyre është subjekt i disa thyerjeve strukturore gjatë kësaj periudhe. Në periudhën 2005-2008, remintancat janë karakterizuar me një normë dyshifrore të rritjes që është luhatur në një interval prej 10 për qind-17 për qind.
Ndërsa, në vitet 2009 dhe 2010, remintancat kanë shënuar rënie të lehtë vjetore që kryesisht rezultoi si pasojë e ndikimit të krizës financiare në vendet ku është e përqendruar diaspora kosovare. Viti 2011 shënoi rënien më të lartë historike të remintancave, me rreth 15 për qind, gjë që iu atribua ndryshimit të metodologjisë se matjes së remintancave nga Departamenti i Statistikave (Banka Qendrore e Republikës së Kosovës).
Që pas vitit 2011, remintancat janë karakterizuar me një normë rritjeje më të ngadaltë krahasuar me periudhat e mëparshme prej rreth 7 për qind”, thuhet në Materialin Studimor t BQK-së, përcaktuesit makroekonomikë të remintancave në Kosovë’.
Sipas BQK-së remintancat në Kosovë kanë ndikuar në zbutjen e deficitit tregtar të mallrave dhe shërbimeve, duke e mbuluar atë në një nivel rreth 38 përqind mesatarisht për gjithë periudhën 2004-2016.