Niveli i ulët i papunësisë, si dhe shkalla e lartë e varfërisë në Kosovë, kanë bërë që qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, vazhdimisht të dërgojnë shuma të mëdha të mjeteve financiare tek familjet e tyre.
Shuma e këtyre parave, që për çdo vit arrijnë në Kosovë, është mbi gjysmë miliard euro, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Përveç këtyre parave që këta qytetarë dërgojnë vazhdimisht në Kosovë, janë edhe një shumë tjerë e mjeteve që ata shpenzojnë kur vijnë për pushime, sidomos gjatë sezonit të verës.
Afrim Sinani jeton në Gjermani tash e 20 vjet. Pushimet verore thotë se zakonisht i kalon në Kosovë. Ai tregon se për vite me radhë ka ndihmuar të afërmit e tij që ka në Kosovë.
“Mundohemi t’iu ndihmojmë për gjërat që ata kanë nevojë. Pas luftës ndihma jonë ka qenë shumë më e madhe për ta, por që tani disa prej tyre kanë kushte më mira dhe nuk kanë nevojë shumë për ndihmë”, thotë ai.
Ndërsa, Dritoni nga qyteti i Prishtinës, është njëri nga ata që pranon para nga familjarët e tij që jetojnë jashtë vendit.
“Pa mbështetjen e tyre është vështirë të ja dalim financiarisht këtu në Kosovë. Nuk e ndjejmë veten mirë që varemi nga ta, pasi që duhet bërë vetë diçka më shumë, por ne mundohemi të ja dalim vet, por është shumë problem, kështu që pa mbështetjen e tyre vështirë është të ja dalim financiarisht”, thotë ai.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia është 28.7 për qind, derisa varfëria 18 për qind.
Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se duke pasur parasysh ritmin e zhvillimit, i cili sipas tyre, nuk ka garantuar krijim të burimeve tjera të qëndrueshme që mund ta përkrahin zhvillimin ekonomik të vendit, është mjaft e rëndësishme që Kosova ka një diasporë të fuqishme.
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se dërgesat nga diaspora mbeten një ndër burimet kryesore të rritjes ekonomike të vendit.
“Në këtë kontekst, përkrahja e ndryshme e diasporës qoftë në formë të përkrahjes direket financiare, qoftë në formë të investimeve, ka ndikuar pozitivisht sidomos në financimin e konsumit në vend, që ka qenë një ndër faktorët kyç të rritjes ekonomike. Edhe viteve të fundit nuk vërehet ndonjë rënie e madhe e remitencave nga diaspora”, thekson Rukiqi.
Kontributi i diasporës për Kosovën edhe sipas Naim Dedushaj, drejtor në Drejtorinë për investime të diasporës në Ministrinë e Diasporës, ka qenë dhe vazhdon të mbetet i madh.
“Mund të themi se dërgimi i remitencave ka ndihmuar Kosovën, ka ndihmuar familjet e tyre, por mendojmë se tani ka ardhur koha e ndërrimit të veprimit të këtyre remitencave, ato të mos përdoren vetëm për konsum si janë përdorë deri më tani, po të shndërrohen edhe në investime”, thotë Dedushaj.
Sipas buletinit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2016, qytetarët e Kosovës kanë pranuar afër 700 milionë euro mbështetje financiare nga të afërmit e tyre.
Kjo shifër, sipas këtyre të dhënave pritet që të rritet edhe për 2.8 për qind gjatë këtij viti.
Por, që sipas Berat Rukqit, në vitet e ardhshme nuk pritet që remitencat të jenë me këtë ritëm.
“Nëse e shohim në perspektivë afatgjate, por edhe trendet e viteve të fundit, dhe nëse jemi të orientuar në krijimin e mundësive për investime, do të shohim edhe investime të drejtpërdrejta të diasporës dhe kjo mund të krijojë ndonjë rënie të mundshme të remitencave”.
“Po ashtu, nëse shikohen edhe relacionet që mund të kenë gjeneratat e ardhshme me vendin, nuk pritet që një vlerë e tillë e remitencave të jetë për shumë vite”, thekson Rukiqi.
Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra.
Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit, është rreth 350 mijë, ndërkohë që thuhet se ky numër është shumë më i madh dhe atë afër 1 milion qytetarë.