Niveli i ulët i papunësisë, si dhe shkalla e lartë e varfërisë në Kosovë, kanë bërë që qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, vazhdimisht të dërgojnë shuma të mëdha të mjeteve financiare te familjet e tyre.
Përveç parave që këta qytetarë dërgojnë vazhdimisht në Kosovë, janë edhe një shumë tjerë e mjeteve që ata shpenzojnë kur vijnë për pushime, sidomos gjatë sezonit të verës.
Remitencat, ose paratë e mërgimtarëve dërguar në Kosovë, vitin e kaluar kanë tejkaluar afro gjysmë miliardi euro, duke shënuar vlerën më të lartë që nga viti 2004.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se Kosova nuk është e varur nga remitencat, mirëpo sipas tij ato janë pjesë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës.
Megjithatë Rukiqi ka thënë se remitencat duhet të shfrytëzohen më shumë për projekte kapitale dhe krijimin e vendeve të punës, e jo vetëm të përdorën për konsum.
“Kosova nuk është e varur nga remitencat por është pjesë e rëndësishme por ne si ekonomi nuk mundemi me pas asnjë faktor veç e veç. Por është shumë me rëndësi mirëpo remitencat janë një prej faktorëve më të rëndësishëm të rritjes ekonomike. Ne kemi pas edhe ministri të diasporës por kemi pas shumë pak investime nga diaspora në kohën kur një funksion bazik i kësaj ministrie ka qenë edhe me nxit investime dhe me krijua projekte bashkërisht me investitorët e diasporës që mundësojnë krijimin e vendeve të punës por jo vetëm në aspektin e krijimit të vendeve të punës dhe investimit të kapitalit por shumë me rëndësi është edhe transferi i teknologjisë dhe i njohurive që mund ti sjellë diaspora në vendin tonë”.
“Shteti nuk ka krijuar mekanizma të mjaftueshëm dhe ka hapësirë dhe nuk është e dëmshme të financohet edhe konsumi për shkak se ka qenë bazë e rëndësishme e rritjes ekonomike të vendit. Por megjithatë sigurisht që do të ishte më e mirëseardhur që një pjesë e remitencave që vjen nga diaspora të shkon në pjesën e investimeve apo me një projekt sa ma afatgjatë, shtoi Rukiqi raporton EO.
Sipas Rukiqit investitorët e huaj po druajnë të investojnë në Kosovë për shkak të zgjedhjeve të shpeshta në Kosovë dhe si pasojë e një mungese të sigurisë juridike në vendin tonë.
“Investitorët e huaj mes tjerash unë e theksova se ka një shkallë të caktuar të rrezikut politik që po na vjen edhe nga këto ciklet e shpeshta zgjedhore dhe tash kjo veç po shtohet, pastaj ka edhe një mungesë të sigurisë juridike si pasojë e problemeve që kemi me sundimin e ligjit, me ekonominë joformale. Kemi një problem sa i përket tregut të punës dhe janë një varg faktorësh që ndikojnë dhe të kemi hezitime apo mos të kemi fare investime të huaja”, ka thënë ai.
Ndërsa Kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha për Ekonomia Online ka thënë se remitencat ndikojnë në rritjen e fuqisë punëtore mirëpo shton se duhet bërë analiza se ku duhet të përdoren.
“Për ekonominë e Kosovës është lajm i mirë sepse rritet fuqia blerëse e qytetarëve të Kosovës por duhet ta analizojmë se remitencat për çka përdorën. Nëse përdoren për investime në kompani të reja, atëherë është diçka pozitive për ekonominë tonë sepse po shfrytëzohet në diçka që krijon vlerë, nëse shfrytëzohet vetëm për konsum atëherë nuk është bash treguesi më i mirë, sepse një pjesë e tyre pastaj konsumohen produktet e importuara dhe shfrytëzohet Kosova si tranzit, që paraja vjen nga familjarët që jetojnë në vendet tjera dhe pastaj kalon nëpër Kosovë, shkon në vendet tjera që importojnë”, ka thënë ai.
Mosluftimi i korrupsionit, mos sundimi i ligjit dhe probleme të tjera, sipas Panxhës kanë ndikuar në rënien e investimeve nga diaspora,
Ai ka thënë se qeveritë e deritanishme nuk kanë prodhuar politika që favorizojnë investitorët.
“Po shumica e rasteve ka ekzistuar vullneti i qytetarëve që jetojnë jashtë për të investuar në Kosovë, por nuk u kemi ofruar kushtet e duhura, që ka pas probleme të shumta, si për nga sundimi i ligjit, korrupsioni, ku qytetarët nga diaspora janë ftohur në një far forme për të investuar në Kosovë dhe kjo ka reflektuar me ulje të investimeve të huaja direkte në Kosovë”.
“Për t’i tërheqtë këto investime, ne së pari duhet të kemi një qeveri funksionale, që për sa muaj nuk është themeluar dhe pastaj t’u ofrojmë politika stimuluese, jo vetëm diasporës sonë por të gjithë investitorëve të vijnë dhe të investojnë në Kosovë”, ka thënë Panxha.
Remitencat që pranohen në Kosovë kryesisht vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, prej nga dërgohen 41.3 përkatësisht 19.8 për qind e gjithsej remitencave.
Ajo çka mbetet shqetësuese, është fakti se pjesa dërmuese e tyre përdoret për konsum.