Remitencat priten të kthehen në investime nga viti 2017

Prishtinë | 12 Kor 2016 | 09:08 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës, po bënë përpjekje që një pjesë të remitencave t’i kanalizojë në investime përmes mekanizmave të granteve në bujqësi dhe teknologji informative. Nga shuma e përgjithshme e remitencave prej mbi 600 milionë euro të dërguara në baza vjetore nga diaspora, diku 7-8 për qind e tyre mund të kanalizohen në ekonomi.

Kështu është shprehur ministri i Diasporës, Valon Murati gjatë një interviste dhënë për  Agjencinë e Lajmeve “Ekonomia Online”.

Ai ka theksuar se vitin e ardhshëm pritet që të kenë hapa më konkret dhe më serioz në përpjekje për t’i orientuar remitencat.

“Ne kemi bërë përpjekje dhe jemi duke i shikuar të gjitha mundësitë që të krijojmë projekte që një pjesë të tyre t’i kanalizojmë edhe në investime përmes mekanizmave të ndryshme të skemave të granteve në bujqësi dhe teknologji informative. Jemi krejt në fazat fillestare të përpunimit të ideve dhe koncepteve të projekteve. Vitin e ardhshëm do të fillojmë me pilot-projektet e para…”, u shpreh Murati.

Gjatë intervistës, ministri flet edhe për bizneset e shqiptarëve në diasporë të cilët shprehin interesim për të investuar në vendlindje.

“Ne po bëjmë përpjekje dhe unë si ministër kam bërë përpjekje, jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal të kemi sa më shumë diversifikim të ofertave për bizneset nga diaspora në mënyrë që ata të kenë mundësi që të vijnë dhe të investojnë në fusha të caktuara të interesit të tyre”, theksoi ai.

Sa i përket regjistrimit të diasporës, ai thotë se është projekt shumë i rëndësishëm për vendin. Edhe këtë vit, sipas tij, është ripërtërirë fushata, ku edhe  do të përmbyllet procesi fizik dhe aktiv i regjistrimit të diasporës.

Sipas tij, nga procesi i fillimit të regjistrimit të diasporës deri më tani janë regjistruar mbi 250 mijë bashkatdhetarë.

INTERVISTA E PLOTË:

valon murat1

EO: Vazhdimin e fushatës për regjistrimin e Diasporës e keni filluar të shtunën, cili është qëllimi i saj?

Murati: Regjistrimi i Diasporës, është një projekt Shtetëror Kombëtar shumë i rëndësishëm për Kosovën, është një proces, i cili ka filluar më herët. Ne edhe në vitin e kaluar gjatë muajve të verës kemi qenë shumë aktiv në këtë proces të cilin e kemi mbajtur: “Ti je pjesë e Atdheut”. Gjatë tërë vitit kemi punuar, sepse ky është një proces, i cili i ka fazat e veta, i ka dinamikat e veta, por të cilat varësisht prej periudhës marrin karakter të ndryshëm. Ne gjatë verës e bëjmë regjistrimin fizik të diasporës, shfrytëzojmë momentin kur bashkatdhetarët tanë vijnë në Kosovë në mënyrë më masovike të arrijmë t’i regjistrojmë. Edhe këtë vit e kemi ripërtërirë fushatën dhe realisht në këtë vit përmbyllet ajo që ne e quajmë proces fizik dhe aktiv i regjistrimit të diasporës. Synojmë që të kemi një numër optimal të regjistruar edhe këtë vit. Ndërsa, nga viti i ardhshëm kur ne dalim me rezultate do të vazhdohet edhe për pesë vite ajo që ne e quajmë regjistrim pasiv i diasporës apo regjistrim online, apo regjistrim nëpër konsullata apo Ambasadat tona.

EO: Sa mërgimtarë janë regjistruar deri më tani prej se ka filluar procesi i regjistrimit të diasporës?

Murati: Të dhënat janë duke u përpunuar në vazhdimësi. Për procesin e regjistrimit është marrë vendim në vitin 2013 dhe ka filluar në vitin 2014. Deri më tani janë regjistruar përafërsisht rreth 30 mijë bashkatdhetarë. Ne e konsiderojmë sukses, sepse në periudhën kur ne e kemi marrë ministrinë vetëm vitin e kaluar llogaritet që i kemi regjistruar diku mbi 250 mijë bashkatdhetarë. Pra shumicën e këtij regjistrimi e kemi kryer në këtë periudhë dhe llogaritet që edhe këtë vit të kemi një proces të suksesshëm të regjistrimit. Është vështirë të flasim për shifra të sakta. Këto shifra do të kompletohen pas kombinimit që do të bëhet edhe me regjistrimin online pas disa viteve. Ne, në fillim të vitit të ardhshëm do të dalim me një shifër.

EO: Sa po shprehin interesim diaspora për t’iu përgjigjur regjistrimit?

Murati: Duke qenë se viti i kaluar ka qenë një vit i suksesshëm në regjistrimin tyre, kam përshtypjen se çdo herë e më shumë është rritur dëshira dhe vullneti i tyre. Ne kemi bërë përpjekje edhe duke shfrytëzuar intervista të tilla edhe duke shfrytëzuar ndihëm e medieve por edhe të gjithë mekanizmat e tjerë shtetërore të të gjitha niveleve që t’i eliminojnë çfarë do keqkuptimi që mund të ketë pasur në të kaluarën për qëllimin e këtij regjistrimi dhe realisht ka një rritje të interesit për t’u regjistruar. Shfrytëzoj edhe këtë intervistë që t’i ftojë bashkatdhetarët që të na ndihmojnë neve edhe vetës përmes regjistrimit në këtë proces, sepse regjistrimi në këtë proces nuk është vetëm që ne ta dimë numrin, por ta dimë strukturën e bashkatdhetarëve, të dimë profesionet e tyre, shtrirjen e tyre dhe rrjedhimisht edhe të arrijmë të ndërtojmë politika më të mira shtetërore dhe kombëtare për diasporën tonë.

EO: Diaspora dhe mërgata shqiptare luan rol në të ardhurat financiare të mijëra familjeve në Kosovë përmes remitencave. Sa është e mundur që remitencat të shndërrohen në investime kapitale për të mirën e ekonomisë së Kosovës?

Murati: Ne kemi një rritje nga viti në vit të remitencave, ndoshta edhe për shkak të porfesionailizmit të këtyre metodave të kalkulimit të remitencave nga Banka Qendrore e Kosovës. Në vitin 2014 kanë qenë 694 milionë euro, në vitin 2015 kanë qenë 750 milionë euro remitenca – një numër shumë i madh i financave. Ne kemi bërë përpjekje dhe jemi duke i shikuar të gjitha mundësitë që të krijojmë projekte që një pjesë të tyre t’i kanalizojmë edhe në investime përmes mekanizmave të ndryshme të skemave të grandeve në bujqësi dhe teknologji informative. Jemi krejt në fazat fillestare të përpunimit të ideve dhe koncepteve të projekteve. Duhet të jemi të vetëdijshëm që jo vetëm tek ne por askund në botë shumica e remitancave nuk mund të futen në investime të drejtpërdrejta, por në shumë vende të botës dhe ne po përpiqemi t’i marrim ato modele që një pjesë e këtyre mjeteve të futen si investime në ekonomi në mënyrë që të kemi një rritje më të madhe ekonomike, por edhe të kemi rritje të vendeve të punës dhe mos të na shkojnë të gjithë këto remitanca vetëm në konsum dhe prapë të dalin jashtë për shkak të strukturës që ne e kemi të ekonomisë. Rrjedhimisht pritet që prej vitit të ardhshëm të kemi hapa pak më konkret dhe më serioz në përpjekje për të orientuar, kanalizuar një pjesë se çdo herë i bie e vogël, sepse janë diku 7-8% të remitencave që mund të kanalizohen në ekonomi, por që ne po shpresojmë se vitin e ardhshëm do të fillojmë me pilot-projektet e para.

EO: Sa po punohet në mobilizimin e bizneseve shqiptare në diasporë dhe nxitjen e tyre për të investuar në vendlindje?

Murati: Ne realisht si ministri kemi punuar shumë. Si produkt i punës së ministrisë janë krijuar rreth 23 unione të bizneseve të diasporës shqiptare. Këto rritje janë produkt i punës së ministrisë përveç këto rrjete që janë të shtrira nëpër të gjitha vendet e Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australisë ata e kanë edhe rrjetin Unioni Global. Ne këto rrjete i trajtojmë një partner në zhvillimin ekonomik të vendit dhe janë një prej projekteve më të suksesshme që kanë qenë edhe të ministrisë edhe të Qeverisë së Kosovës, jo vetëm për t’i mobilizuar bashkatdhetarët për të ardhur të investojnë në Kosovë, por për t’i shndërruar në partner të zhvillimit të vendit në mënyrë që ata të bëjnë biznes mes vete, pastaj të jenë afër të gjitha zhvillimeve politike dhe ekonomike në Kosovë dhe të ndikojnë në ekspertizën e tyre edhe në ndërtimin e politikave më të mira. Ajo që ne e kemi bërë në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, pjesë e së cilës jemi edhe ne, është krijuar grupi punues për tërheqjen e investimeve nga diaspora dhe për herë të parë një përfaqësues i rrjetit të ri të diasporës shqiptare është pjesë e këtij mekanizimi. Pritet që shumë shpejtë të hapet edhe zyra e rrjetit të diasporës këtu në Prishtinë në mënyrë që të krijohet një pikë e kontaktit më e lehtë në mes bizneseve nga diaspora dhe vendit tonë.

EO: Në Cilat fusha janë më shumë të interesuar të investojnë?

Murati: Bizneset janë kryesisht të interesuar në fushën e prodhimit në fushën e teknologjisë informative në fushën e bujqësisë dhe ne po bëjmë përpjekje, por dhe unë si ministër kam bërë përpjekje, jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal të kemi sa më shumë diversifikim të ofertave për bizneset nga diaspora në mënyrë që ata të kenë mundësi që të vijnë dhe të investojnë në fusha të caktuara të interesit të tyre.

Të ngjashme