Për çdo vit mbi 1.5 miliard euro dërgohen apo shpenzohen nga diaspora në Kosovë. Pjesa më e madhe e tyre shkojnë në konsum, paluajtshmëri dhe shpenzime që diaspora bën gjatë vizitave në Kosovë. Vetëm një pjesë e vogël janë të destinuara për investime.
Kjo u bë e ditur në konferencën me temën “Nxitja dhe Promovimi i Investimeve të Diasporës në Kosovë”, të organizuar nga “D&D Businnes Support Center”, në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, raporton Ekonomia Online.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte të diskutohen mundësitë si të krijohen kushte që remitencat e diasporës të kthehen në investime. Gjithashtu aty u prezantuan edhe problemet që diaspora has gjatë investimeve në Kosovë.
Safet Fazliu, drejtori i D&D Businnes Support Center, tha se Kosova në raport me popullsinë e përgjithshme ka një diasporë shumë të madhe, e cila ka dhënë kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit përmes remitencave.
“Vetëm në vitin 2016 kemi pasur rreth 700 milionë euro nga diaspora. Motivi kryesor i këtyre dërgesave është lidhja shpirtërore me familjet dhe atdheun. Në aspektin e destinimit të remitencave, pjesa dërmuese është në konsum të përditshëm, paluajtshmëri dhe 3-4 për qind janë të destinuara në investime. Fokusi i kësaj konference është si t’i destinojmë këto mjete në investime”, tha Fazliu.
“Ndryshimi i destinimit të tyre do të kishte një impakt shumëfish më të madh në rritje ekonomike, vende të reja të punës dhe nga kjo do të rritej edhe kthimi në investim nga bashkatdhetarët. Ne kemi një numër të madh të pjesëtarëve të diasporës që kanë arritur një sukses në vendet ku jetojnë dhe ky target do të ishte i duhur për ta zgjeruar biznesin në Kosovë”, u shpreh Fazliu.
Ai theksoi se duhet të krijohen kushte për diasporën që të investojë në atdhe.
“Janë bërë disa hapa të rëndësishëm në aspektin ligjor, duke filluar nga reformat ekonomike dhe marrëveshjet e nënshkruara me Bashkimin Evropian, që mundësojnë qasje më të lehtë bizneseve për t’i krijuar dhe zgjeruar bizneset e tyre”, tha ai.
Ministri në detyrë i Diasporës, Valon Murati, pjesëmarrës në këtë tryezë, tha se ende ka mosbesim nga diaspora për ambientin e biznesit në Kosovë.
“Unë mendoj që kur flasim për investimet nga diaspora, remitencat janë vetëm një shtyllë që ne duhet t’i referohemi. Në total nga tri shtylla, para që vijnë nga diaspora, vetëm në vitin 2015 kanë qenë 1.5 miliard. Dhe kjo është një shifër që përafërsisht është e njëjtë çdo vit”, tha ai.
“Kudo në botë, por edhe tek ne, nuk është e lehtë që remitencat të kthehen në investime. Ne kemi problem në përgjithësi me strukturën e ekonomisë së vendit dhe këto para të shpenzuara në konsum një pjesë e tyre dalin jashtë vendit”, tha Murati, raporton EO.
“Fokusi kryesor i joni do të jetë që të rriten investimet e huaja. Në të ardhmen kjo shifër nuk mund të mbetet e njëjtë. Diaspora ka dhënë kontribut edhe në investime direkte dhe kanë qenë investime jashtëzakonisht të rëndësishme dhe kanë ndikuar në një stabilitet socio-ekonomik të vendit. Ideja ime është që ne përqendrimin kryesor ta kemi tek investimet nga jashtë dhe jo tek të huajt, por tek njerëzit tanë. Për çdo qeveri fronti i parë do të duhej të ishte investimet nga diaspora”, u shpreh ministri në largim.
Ai përmendi problemet me të cilat ballafaqohet diaspora se i përket investimeve.
“Një problem për ta është sundimi i ligjit, po flas për mosefikasitetin e sistemit gjyqësor. Problem tjetër është mungesa e aftësim profesional. Vërejtjet që na vijnë nga diaspora është që ne kemi një fuqi punëtore të pakualifikuar, që nënkupton që duhet të bëhet punë në aftësimin profesional të të rinjve. Problem tjetër është energjia si dhe mosfunksionimi i ligjeve”.
Sakip Imeri, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), tha se pakoja e parë fiskale ofron lehtësira për investimet e huaja, pra edhe për investitorët e diasporës.
“Pakoja e fundit fiskale ka pasur karakteristika për investitorët e cila ka ofruar lirime në import për pajisjet për prodhimet, lirimet nga TVSH-ja për lëndë të parë dhe të gjitha këto janë pritur mirë. Janë 10 marrëveshje për eliminim të tatimit të dyfishtë me shtetet”, tha ai.
“ATK-ja ka ofruar lehtësi në shërbimet për tatimpagues, me qëllim që secili ta kryejë detyrimin e tij pa e takuar fizikisht zyrtarin e ATK-së. ATK-ja ka qendrat e saj në të gjithë Kosovën dhe shërbimet janë kryesisht elektronike”, ka vazhduar Imeri.
Ishte eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, ai i cili prezantoi hulumtimin “Aspekti ekonomik remitencave”, struktura e tyre dhe investimet e diasporës në Kosovë.
Gjithashtu aty u prezantua edhe aspekti socio-psikologjik i investimeve të Diasporës në Kosovë nga profesori Besnik Krasniqi.