“Rënia e tyre është simbol i qëndresës dhe frymëzim për brezat” – Kurti për Malajn dhe Berishën

Prishtinë | 11 Jan 2026 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar sot 42-vjetorin e rënies së veprimtarëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, duke vlerësuar sakrificën dhe rezistencën e tyre për lirinë e Kosovës.

Ai rikujtoi veprimtarinë e tyre politike dhe jetën në ilegalitet, si dhe rënien e tyre më 11 janar 1984, gjatë një përballjeje me policinë jugosllave në Prishtinë.

“Mbrëmjen e 11 janarit 1984, policia jugosllave ndërmori një aksion për kapjen e Rexhepit dhe Nuhiut, duke i rrethuar në një shtëpi ku ata ishin strehuar, në lagjen Vranjec (tash Kodra e Trimave) në Prishtinë. Rexhepi dhe Nuhiu rezistuan me armë, dhe pas mesnate u vranë të dy. Rënia e tyre si angazhim dhe luftë për liri deri në flijim, u përjetua si shembull ideal nga shokët aktivistë dhe nga populli shqiptar, në Kosovën e pushtuar nga Serbia nën Jugosllavi.

Rexhep Malaj ishte anëtar udhëheqës i organizatës së fshehtë Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), kurse Nuhi Berisha ishte udhëheqës i Shtabit Operativ të LRShJ-së për Universitetin e Prishtinës. Që prej tre muajsh, Rexhepi dhe Nuhiu ishin duke jetuar së bashku në kushte ilegale, meqë më 8 tetor 1983, ishin pikasur dhe po gjurmoheshin nga shërbimi sekret jugosllav. Si aktivistë, ata ishin lidhur mes tyre vetëm disa muaj më parë, pas daljes së Rexhepit nga burgu më 23 maj 1983.

Rexhep Malaj kishte qenë një nga veprimtarët politikë drejtues më të rëndësishëm të kohës, i cili qysh si gjimnazist ishte përjashtuar nga shkolla dhe dënuar për përfshirje në organizimin e demostratës së 27 nëntorit 1968 në Gjilan. Ai kishte lindur më 29 mars 1951 në fshatin Hogosht të Kamenicës. Në vitin shkollor 1970/’71 punoi si mësues në fshatin Marec të Prishtinës, teksa studionte për ekonomi në Universitetin e Prishtinës. Më 1973, Rexhepi ishte dënuar me 28 ditë burgosje për kalim ilegal të kufirit Jugosllavi – Shqipëri, kurse më 1974 qe dënuar po për kalim ilegal të lufirit në territorin e Sllovenisë, ku nga Jugosllavia kishte dalë në Austri. Më 23 maj 1975, Rexhep Malaj u arrestua dhe në një proces të gjerë gjyqësor ku u gjykua edhe Adem Demaçi, u dënua me 9 vite burgosje. Këto 9 vite, Rexhep Malaj i kaloi në burgje të ndryshme nëpër Jugosllavi: në Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Idrizovë, Prizren, Foçë dhe Mostar.”, shkroi ai.

Të ngjashme