Plazhet që ceken nga ujërat e tejdukshme të Mesdheut e bëjnë vendin e shqiponjave një destinacion tejet befasues për pushimet verore. Vetëm vitin e kaluar, turizmi u rrit me 15%, falë edhe natyrës së paprekur, destinacioneve të shumta, pjesë të trashëgimisë së UNESCO-s, si dhe dëshirës në rritje për të përqafuar të ardhmen, të një prej popullsive më të reja të Europës.
Mos ndoshta Pylli Vertikal, një xhevahir arkitekturor i qendrës së re në Milano, do të bëhet së shpejti me një “binjak” në tokën ballkanase!? Ka mundësi, duke qenë se arkitektit italian Stefano Boeri i është besuar Plani i ri Rregullues i Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë. Një projekt ambicioz, i kërkuar me ngulm nga lideri socialist Edi Rama dhe kryebashkiaku i tanishëm e plot energji, Erion Veliaj, 37 vjeç. “Jemi një komb i ri – mosha mesatare është 35 vjeç – që në 15 vitet e fundit ka përjetuar një hov ekonomik, falë edhe shumë prej investimeve të huaja, ndër të cilat edhe ato italiane”, më thotë me një entuziazëm “ngjitës”, Veliaj.
“Sa për të krijuar një ide: në 2016, PBB në Shqipëri u rrit me më shumë se 3%. Plani i ri Rregullues do të rimodelojë lëvizshmërinë urbane, duke reduktuar trafikun e mjeteve në qendër (janë rreth 170 mijë automjete vetëm në qytet) duke nxitur transportin publik dhe duke racionalizuar e rritur lidhjet me periferinë. Ndërkohë, është parashikuar mbjellja e 2 milionë pemëve të reja”, shprehet ai.
Ndotjet arkitekturore
Ndonëse rruga për t’u përshkuar është ende e gjatë, Tirana sot spikat me dinamizmin e saj. Përveç ndërtesave të reja që “mbijnë” me shpejtësinë e dritës, jam e befasuar nga përzierja e stileve të pallateve e monumenteve përgjatë akseve më të rëndësishme; xhami të rafinuara si ajo e Et’hem Beut, ndërtuar në 1821, bashkëjetojnë me murale të shndritshme, të lyera për të mbuluar grinë e pallateve të regjimit komunist. Arkitektura tipike neo-racionaliste, si në ishullin këmbësor, sheshi “Skënderbej”, kushtuar heroit kombëtar, i cili iu kundërvu synimeve otomane ndaj vendit, apo ndërtesat e ndërtuara nga Musolini, si sheshi “Italia”, në periudhën e sundimit fashist, harmonizohen me gjallërinë plot ngjyra të Pazarit të Ri, një treg ushqimor dhe kafenesh që gëlon nga të rinjtë.
Jeta e Natës (Made in Tirana)
Në Tiranë, atmosfera e mbrëmjeve ndizet nga një gjallëri e zhurmshme, sidomos tek ish Blloku, i cili frekuentohet sot nga të rinj plot jetë dhe që njëherë e një kohë ishte i rezervuar për nomenklaturën komuniste, që nën thundrën e diktatorit Enver Hoxha udhëhoqi vendin nga 1944-1985. Një prej paranojave që u trashëguan nga diktatori janë edhe bunkerët e shumtë që gjenden në të gjithë territorin. Një prej më të mëdhenjve gjendet në afërsi të Tiranës; sot quhet Bunk’Art dhe është kthyer në një prej muzeve të diktaturës, falë angazhimit të gazetarit salentin Carlo Bollino. Është pikërisht ai që më shoqëron në sallat e nëndheshme, përgjatë një rrugëtimi që rindërton historinë përmes fotove, objekteve e dokumenteve; një vizitë që përçon të dridhura, por gjithsesi tejet interesante.
Triumfi i turizmit
Nëse Tirana përfaqëson dëshirën për ringjallje, vende të tjera janë sinonim i plagëve, përfshirë këtu edhe ndërtimet pa kriter gjatë periudhës së paqëndrueshmërisë që karakterizoi vendin përgjatë viteve ‘90. Elita e tanishme drejtuese synon të investojë në rivlerësimin e territorit, siç më shpjegon ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi: “Shqipëria është përfshirë nga Rough Guide, si një ndër destinacionet kryesore për 2016, falë edhe vëmendjes së qeverisë për sektorin turistik. Vitin e kaluar ka pasur një fluks turistësh të huaj; 4.3 milionë, 15% më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Kemi shumë atraksione, vende ku koha duket se ka ndalur, florë dhe faunë që nuk gjenden në vendet e tjera të Ballkanit, zona të shumta që janë pasuri e UNESCO-s”.
Një shembull i shkëlqyer është Butrinti, në afërsi të Sarandës. Zona arkeologjike ruan dëshmi të kulturës helene, romane, bizantine, veneciane dhe otomane, mbështjellë nga një peisazh fantastik, rrethuar nga një liqen i kripur, i cili bashkohet me detin nga kanali i Vivarit. Një destinacion tjetër, trashëgimi e UNESCO-s për të mos u humbur, është ajo e Gjirokastrës, e cilësuar nga shkrimtari Ismail Kadare, në librin “Qyteti i gurtë”; një qendër urbane otomane, ku dominon një kështjellë me pamje mbi luginën e lumit Drin.
Magjia e natës shqiptare
Etapa ime e fundit është Berati, rreth 100 km nga Tirana. E kuptoj menjëherë sepse e quajnë si “qyteti i një mbi një dritareve”; në perëndim, dritat depërtojnë duke i bërë banesat e patundura mbi dy kodrina, të ngjasojnë si një mori xixëllonjash. Një spektakël magjik, ndonëse vë re me dëshpërim që lokalet e shumtë ende frekuentohen vetëm nga meshkuj. Por Shqipëria, kështu është! Një përzierje kontradiktore e progresit dhe traditës, një vend që sheh drejt së ardhmes, por që e ka të vështirë të shkëputet nga një e shkuar që e ka zaptuar. E megjithatë, teksa ngjitem në avion, mendoj se për shqiptarët vlejnë pikërisht ato fjalë të thëna nga Gonxhe Bojaxhiu, apo siç njihet Nënë Tereza, bashkëkombësja e tyre më e famshme: “Mundohuni që çdokush që vjen tek ju, të largohet duke u ndierë më mirë dhe më i lumtur!” (Revista Gioia)