Kosova llogarit se i ka të sigurt lojtarët që e kanë përfaqësuar deri më tash në miqësore të ndryshme, ndonëse edhe për shumicën e tyre duhet një leje e FIFA-s, meqë si të rinj kanë luajtur për vende të ndryshme. Por, ata nuk kanë shtetësi të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Federata është hedhur në aksion për t’i pajisur me shtetësi e pasaporta të Kosovës, në të njëjtën kohë po pret përgjigjen e FIFA-s për lojtarët që luajnë për shtete të ndryshme. Po kërkon listën e lojtarëve që mund të ndërrojnë përfaqësuese, e më pas të nisë t’i bindë veç e veç. Deri në nisje të eliminatoreve kanë mbetur 40 ditë
Telashet për Kosovën nuk kanë të ndalur. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) jo vetëm që është në pritje të përgjigjes nga FIFA në lidhje me lojtarët që janë aktivizuar për shtetet e tjera, por nuk e ka të sigurt edhe një pjesë të konsiderueshme të lojtarëve që deri më tash kanë qenë pjesë e Kosovës.
Në fakt, edhe për ta duhet leja e FIFA-s, por për më tepër, me letra ata nuk janë as shtetas të Kosovës.