Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, priti sot në takim njoftues ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, me të cilën biseduan, mes tjerash, për realizimin e projekteve konkrete në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe të planifikimit hapësinor.
Duke falënderuar shtetin turk për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës, Reshitaj vlerësoi se marrëdhëniet mes dy shteteve duhet të intensifikohen edhe me tutje në rrugën tonë të përbashkët të integrimit evropian.
Sfidat në ruajtjen e mjedisit, ndryshimeve klimatike, ngritjes së cilësisë së ajrit, menaxhimit të mbeturinave e problemeve të tjera të kësaj natyre janë probleme globale që kërkojnë bashkëpunim rajonal dhe global për tejkalimin e tyre, ka theksuar Reshitaj.
Nga ana tjetër, ambasadorja Kiliç pasi uroj ministren për detyrën e re, deklaroi se shteti i saj mbetet i përkushtuar në ruajtjen e miqësisë së përbashkët, bashkëpunimit të shkëlqyer në shumë fusha dhe ofroi mbështetjen e saj për realizimin e projekteve konkrete që i kontribuojnë zhvillimit të Kosovës, dhe rritjes së progresit në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe të planifikimit hapësinor.
“Kosova është vend i vogël por shumë i bukur që ka shumë bukuri natyrore e vende turistike dhe nuk duhet lejuar që këto bukuri të dëmtohen e të ndoten, kujdesi ndaj natyrës duhet të jetë qëllim primar i secilit shtet dhe qeveri”, përfundoi Kiliç.