Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendin e Kosovës për ndotjen e ajrit, ka thënë se kanë gjetur nga çfarë po vjen ndotja e madhe e ajrit në kryeqytet.
Reshitaj ka theksuar se ende nuk është gjetur fajtori kryesor për këtë gjendje, mirëpo ka thënë se termocentralet janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Prishtinë.
Ministrja ka thënë se filtrat e Termocentralit “Kosova B” nuk janë ndërruar prej vitit 1985.
Reshitaj tha se kanë identifikuar 100 pika ndotëse në Prishtinë, derisa shtoi se është krijuar edhe task-forcë për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Ministrja ka folur edhe për masat emergjente të marra në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, që sipas saj do të ndikojnë edhe në vetëdijesimin e qytetarëve.
“Është krijuar grupi që ka bërë identifikimin e më shumë se 100 pikave ndotëse që shfrytëzojnë thëngjillin, vajrat e përdorura ose lëndët e tjera djegëse jomiqësore me mjedisin. Kemi kërkuar nga komunat që të hartojnë plane afatshkurtra të veprimit, ku duhet të përfshihen masat afatshkurtra të veprimit lidhur me qarkullimin e mjeteve motorike, ngrohjen në amvisëri, biznese dhe shërbime të tjera me qëllim të zvogëlimit të shkallës së ndotjes së ajrit”, tha Reshitaj.