Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, bashkë me inspektoratin vizitoi Korporatën Energjetike të Kosovës-Termocentralin Kosova B si dhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill”.
Reshitaj në KEK u prit nga drejtori Arben Gjukaj, i cili njoftoi ministren me punën në këtë termocentral, gjendjen dhe funksionimin e filtrave për kontrollimin dhe reduktimin e ndotjes që vjen nga ky termocentral.
Sipas njoftimit nga MMPH, Reshitaj ka kërkuar nga menaxhmenti i KEK-ut që të punohet më shumë në reduktimin e ndotjes së ajrit, rehabilitimin e filtrave si dhe krijimin e zonave të reja të gjelbra përreth zonës së termocentraleve.
“Jam e lumtur që tani më do të ndërtohet termocentrali i ri “Kosova e Re” sipas standardeve evropiane, me teknologjinë më të re të filtrave për të reduktuar ndotjen e ajrit. Pra të gjithë varësisht nga përgjegjësitë që kemi duhet të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi sa më të pastër për të gjithë”, ka thënë Reshitaj.
Pas kësaj, Reshitaj vizitoi edhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill” ku u prit nga drejtori Hamit Leci.
Leci prezantoi idenë dhe gatishmërinë që thëngjilli i KEK-ut të eksportohet në vendet e rajonit si masë preventive për reduktimin e ndotjes së ajrit duke u bazuar në kërkesat për furnizim me thëngjill që vijnë nga Greqia e Maqedonia.