Albena Reshitaj, këshilltare politike e Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka qëndruar në Washington ku ka përfaqësuar Kosovën në Konferencën vjetore të Bankës Botërore, me temën: “Prona dhe të drejtat pronësore të grave”.
Në një intervistë të dhënë Reshitaj, ka thënë se pasion i saj personal është promovimi i të drejtave të grave, kur është fjala të pronësia, por poashtu edhe forcimin e rolit të tyre në shoqëri dhe në vendimmarrje, transmeton Klan Kosova.
“Ky është angazhimi ynë i të gjithëve në Kosovë. Si shteti më i ri në Evropë synim yni është që të kemi të drejta të barabarta dhe jam shumë e lumtur që gratë në Kosovë kanë të drejta të barabarta të pronësisë të garantuara me ligj”, ka thënë Reshitaj.
“Theksoj poashtu se në Kosovë, sikur në shumë vende të tjera këto ligje nuk janë të implementuara në tërësi dhe se të drejtat e grave nuk janë të njohura barabartësisht për shkak të normave shoqërore dhe kulturore”.
Banka Botërore thekson se të drejtat pronësore janë një çështje e rëndësishme e zhvillimit, jo vetëm për fuqizimin e grave por edhe përmirësimin e rezultateve të kapitalit njerëzor.