Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, po vazhdon takimet me udhëheqës të Bankës Botërore në Washington. Ministrja ka zhvilluar një takim me drejtoren e operacioneve strategjike në Bankën Botërore Anna Wellenstein dhe menaxherin e projekteve Jorge Munoz.
Në këtë takim ministrja Reshitaj ka falënderuar për ftesën dhe përkrahjen që Banka Botërorë po u jep projekteve të ndryshme në Kosovë e në veçanti atyre që kanë të bëjnë me mjedisin dhe planifikimin hapësinor.
Ministrja Reshitaj ka vlerësuar edhe investimet që Banka Botërore ka bërë dhe po bënë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, duke përfshirë ri-ndërtimin e informacioneve kadastrale, renovimin e zyrave kadastrale në komuna, regjistrimin e ndërtesave kolektive, krijimin e sistemit referent të GPS –it etj.
Reshitaj në takim ka paraqitur edhe prioritetet e saja si ministre e Mjedisit, përfshirë trajtimin e ujërave dhe menaxhimin e mbeturinave duke kërkuar mbështetje të Bankës Botërore në këtë drejtim.
“Kërkoj nga ju mbështetje. Jam e informuar për një pajisje për pastrimin e mbeturinave nëpër lumenj dhe jam e interesuar të kemi rezultate konkrete që qytetarët e Kosovës të mund t’i shohin ato”, është shprehur ministrja Reshitaj.
E nga ana tjetër drejtoresha e operacioneve strategjike në Bankën Botërore, Anna Wellenstein, ka përgëzuar ministren Reshitaj, për angazhimin dhe përkushtimin e saj në përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.
Ajo përmendi edhe përkrahjen që Banka Botërore po i jep Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në instalimin e teknologjive të reja në këtë agjenci.
Ministrja Albena Reshitaj po qëndron në vizitë zyrtare në Washington, ku do të ketë takime edhe me përfaqësues të lartë të Departamentit të shtetit amerikan.