SHBA-ja e sanksionoi Dodikun, ambasadori serb në Washington shkon për ta mbështetur

Prishtinë | 09 Jan 2022 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

SHBA-ja e sanksionoi të mërkurën anëtarin serb të presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik. Por kjo nuk e ke penguar ambasadorin e Serbisë në Washington, Marko Gjuriq që të shkojë në Republika Srpska në Bosnjë për ta mbështetur atë.

Gjuriq dje në Banja Llukë u nderua, ndërsa e përmendi Kosovën dhe punën e tij sa kishte qenë drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe.

“Më vjen mirë edhe për vajzat e mia që një ditë do të mund të analizojnë dhe të shohin se çfarë kemi bërë në atë periudhë, kështu që ndoshta edhe ata duan të vazhdojnë këtë fill të luftës sonë, që besoj se është shumë brezash”, tha Gjuriq.

Ai nuk ia përmendi emrin Dodikut, por vizita e tij në këtë kohë dëshmon se vendimi i vendit më të fuqishëm në botë, SHBA-së, ku Gjuriq është dërguar si ambasador, nuk e ka shkëputur mbështetjen institucionale që Serbia ia jep njerëzve të tillë.

Gjuriq tha se Serbia do të vazhdojë ta mbështesë Republika Srpskan – sigurisht edhe liderin e serbëve në Bosnjë, Millorad Dodik, të cilin SHBA-ja e cilëson si të përfshirë në akte korruptive dhe se po e destablizon Bosnjën.

“Në periudhën e ardhshme, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe angazhimin e shumicës së popullit serb, kjo mbështetje do të vazhdojë”, tha Gjuriq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme