Reshitaj nënshkruan memorandume me kryetarin e Deçanit dhe ujësjellësin “Hidrodrini”

Prishtinë | 13 Pri 2018 | 16:49 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka vizituar komunën e Deçanit, me ç’rast ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Po ashtu është nënshkruar memorandum bashkëpunimi edhe me kompaninë e ujësjellësit “HidroDrini”, raporton Ekonomia Online.

Reshitaj tha se memorandumet e bashkëpunimit për ndërtimin e kanalizimit të lagjes “Mushkolaj“ të fshatit Irzniq, në vlerë 100 mijë euro, ndarja e 3 milionë euro për ndërtimin e shtratit të lumit “Lumbardh i Deçanit”, janë vetëm fillimi i përkrahjes për këtë komunë.

“Projektet për të cilat nënshkruam memorandum bashkëpunimi janë ndërtimi i kanalizimit në lagjen “Mushkolaj” të fshatit Irzniq me 100 mijë euro. Tre milionë euro kemi ndarë për shtratin e lumit “Lumbardhi i Deçanit”, për këtë vit janë ndarë vetëm 50 mijë euro,  është projekti më i madh ndonjëherë për këtë komunë”.

Ajo po ashtu tha se janë ndarë 320 mijë euro për ndërtimin e ujësjellësit në Strellc. Sipas saj, të gjitha fshatrat e kësaj komune do ta kenë përkrahjen e ministrisë për të pasur ujësjellës.

“Janë ndarë 320 mijë euro për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Strellc. Me marrje të detyrës jemi zotuar se MMPH të gjithë qytetarëve do t’iu mundësojë qasje në ujësjellës, në secilin fshat të kenë qytetarët qasje në ujësjellës. Do të investohen 60 mijë euro në kanalizim për Deçanin. Ujësjellësi do të furnizojë 10 fshatra, për këtë vit ka ndarë 50 mijë euro për këto fshatra dhe do të vazhdojmë me fshatra të tjera”, ka thënë Reshitaj.

E para e kësaj ministrie theksoi edhe rëndësinë e investimit në shtratin e lumit “Lumbardh i Deçanit”, raporton EO.

“Jemi duke vëzhguar se çka mund të bëjmë më shumë për disa degradime të lumit “Lumbardh i Deçanit“, është shqetësim i përbashkët me kryetarin për të bërë më shumë për këtë lum”, ka shtuar Reshitaj.

Ndërsa kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka falënderuar Reshitajn për ndarjen e buxhetit për këto projekte madhore, siç i quajti ai, projekte thelbësore për Deçanin.

“Falënderoj ministreshën, kryeministrin Haradinaj për ndarjen e këtij buxheti që do të ndërhyjë në jetën e qytetarëve të Deçanit. Këto janë projekte thelbësore për Deçanin”, ka thënë ai.

Ramosaj tha se nënshkrimi i memorandumeve ka qenë hap i parë dhe së shpejti do të fillojnë procedurat administrative për implementimin e këtyre projekteve.

“Biseduam për një pjesë të parkut nacional në Bjeshkët e Nemuna që me bë ndërhyrje në këtë park për ta zhvilluar në rekreacion për qytetarët”.

“Nënshkrimi i këtyre memorandumeve ka qenë hapi i parë, pastaj do të hyjmë në fazën adminstrative për këto projekte”, ka shtuar Ramosaj.

Reshitaj dhe Ramosaj vizituan Grykën e Deçanit, për të parë për së afërmi degradimin e shtratit të këtij lumi.

Të ngjashme