Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka reaguar sërish në seancën e sotme, pasi dje kryekuvendari Glauk Konjufca, i tha asaj se nuk do të ketë mëditje pasi pretendoi se ajo qëndroi vetëm 10 sekonda dhe pastaj ka dalë nga salla e Kuvendit.
Ajo i tha Konjufcës se nuk ka të drejtë ta ofendojë publikisht, teksa u shpreh se shpreson që kryetari i Kuvendit të tërhiqet nga këto deklarata, raporton Paparaci.
“Dje emri im u lakua nga shumë media nga një deklaratë emocionale e aspak e hijshme dhe publike nga ana e kryesuesit të Kuvendit, duke mbyllur seancën me një të pavërtetë se unë kinse kam qëndruar për pak sekonda në Kuvend”, tha Reshitaj, në seancën e sotme të Kuvendit.
Mes tjerash, Reshitaj theksoi se nuk punon për mëditje dhe nuk është deputete e mëditjeve.
“Zoti Konjufca, për disa deputetë që qëndruan aq sa unë e ndoshta edhe më pak kohë në Kuvend, sikur nuk iu paskan munguar ose gjithë mllefin që kishte nga pamundësia për të koordinuar dhe bërë funksional seancës, filloi ta derdhte mbi emrin tim dhe mbi mua dhe pikërisht në ditën e grave”, shtoi ajo.
Ajo tregoi se është deputete që dy legjislatura dhe shtoi se vendos vetë nëse do të qëndrojë apo jo në seancë.
Reshitaj, përmendi se kur ka qëndruar në seancë dhe ka votuar për disa projektligje të rëndësishme në Parlament, nuk i ka penguar pushtetit.
“Kur kam qëndruar dikur, kur minutat kanë qenë aq të rëndësishëm, nuk ju kam penguar e as kur kam votuar projektligjet që kanë qenë të rëndësishme për qytetarët. S’e kuptoj lidhshmërisë mes prezencës së deputetit në seancë dhe mëditjes”.
Më pas, kryekuvendari Konjufca tha se rrallëherë bën qortime publike por vetëm kur deputetët e teprojnë në raste të caktuar.
E sipas tij, njëjtë veproi edhe Reshitaj të mërkurën.