Reshitaj viziton Ferdonije Qerkezin të cilës ia vranë në luftë 5 anëtarë të familjes

Gjakovë | 08 Mar 2018 | 16:35 | Nga

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, me rastin e 8 marsit, Ditës së Gruas, ka vizituar Ferdonije Qerkezin nga Gjakova e cila gjatë luftës ka humbur pesë anëtarë të familjes – bashkëshortin dhe katër djemtë, transmeton Ekonomia Online.

“Kam ardhur këtu për të ju respektuar dhe për t’ua uruar festën e gruas, 8 marsin. Ju jeni një simbol i qëndresës, i një gruaje të fuqishme që keni përballuar vuajtje e sfida dhe ende po vazhdoni të  jeni e qëndrueshme dhe për ne të gjitha gratë jeni një simbol i qëndresës”, është shprehur ministrja Reshitaj.

MMPH përmes një komunikate për medie njofton se Qerkezi ka falënderuar ministren Reshitaj që ka zgjedhur ta vizitoj atë me rastin e 8 marsit.

“Ndihem shumë më e fortë sepse po e dijë  se paska kush të përkujdesët për mua. Nuk e kam bashkëshortin e 4 djemtë por paskam edhe çika edhe djem që kujdesën për mua e nuk më harrojnë”, është shprehur Qerkezi.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sot ka organizuar edhe një takim me gratë e kësaj ministrie për të diskutuar në lidhje me problemet dhe sfidat e grave në këtë ministri.

Duke uruar gratë për festën e tyre Reshitaj tha që MMPH-ja ka shumë gra profesioniste që kanë vullnet, përvojë dhe gatishmëri për punë, ne do tu japim hapësirën dhe mundësinë sepse unë besoj në kapacitetet e tyre intelektuale e profesionale.

Gjatë ditës Reshitaj mori pjesë edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohej për dhunën në familje, ku në fjalën e saj propozoi krijimin e një task-force e përberë nga anëtarë të qeverisë, deputet të Kuvendit të Kosovës e anëtarë të shoqërisë civile për të monitoruar zbatimin e akteve ligjore e nënligjore, strategjive e politikave kundër dhunës në familje.

Pas seancës ministrja mori pjesë edhe në konferencën ndërkombëtare të  Akademisë Diplomatike të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme ku po diskutohej edhe për pozitën e grave në shoqëri.  Në këtë konferencë ajo  deklaroi se historikisht kemi shumë gra që me punën e tyre kanë qenë lokomotivë e shumë proceseve determinuese për vendin tonë.

“Sot ambasadoret më të mira të shtetit tonë i kemi vajzat që me talentin e tyre të jashtëzakonshëm, si në sport, art e muzikë, po tregojnë që Kosova është pjesë e botës së civilizuar dhe meriton të jetë pjesë e mekanizmave ndërkombëtar, andaj mendoj që duhet te përqendrohemi në fuqizimin ekonomik dhe politik te grave në  të njëjtën kohe, pasi janë dy gjera që kanë lidhje me njëra tjetrën dhe se fuqizimi ekonomik i grave nënkupton edhe fuqizim politik e shoqëror të tyre” shtoi nder të tjerash ministrja Reshitaj.

Në fund të ditës ministrja mori pjesë edhe në  konferencën e organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, për shënimin Ditës së Gruas, me titull “Gratë në Universitetin e Prishtinës – Mundësitë, Përparësitë, E ardhmja” .

Në fjalën e saj ministrja deklaroi se Roli dhe kontributi i gruas ka dhënë rezultate të cilat edhe sot gjeneratat e reja i kujtojnë dhe i trashëgojnë, kështu duke mos munguar angazhimi i saj pedagogjik edhe në Universitetin e Prishtinës, ku gra të ndryshme drejtojnë njësi akademike, departamente apo programe studimi, të cilat edhe lëndëve që i ligjërojnë, i bëjnë shumë kreative dhe atraktive.

Të ngjashme