Në Qarkun e Korçës gjatë natës që kaloi janë shënuar reshjet e para të borës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se kompanitë e mirëmbajtjes punuan për pastrimin e akseve rrugore.
“Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit në qarkun Korçë ka pasur reshje dëbore në zonat malore në lartësinë mbi 1 100 m, shoqëruar me erë dhe temperatura të ulta. Në rrugën e Dardhës, u punua për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës”, bën të ditur ARRSH-ja.
Po ashtu, ARRSH bën të ditur se nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve në të gjitha rrugët kombëtare.
“Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të marrin masat për t’u pajisur me goma dimërore”, apelon ARRSH.
Për vitin 2021 janë planifikuar 3.4 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar.
Përmes këtyre investimeve synohet rritja e sigurisë rrugore në të gjitha akset kombëtare me qëllim uljen e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 25%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.
Deri në vitin 2022 qeveria parashikon ndërhyrjen në 3 483 km rrugë sipas standardeve në të gjithë territorin.