Sulmuesi Marco Reus, mendon se ky mund të jetë sezoni i duhur për Borussia Dortmund për të ndalur hegjemoninë e Bayern Mynih dhe të fitojë Bundesligën. Gjithsesi, kapiteni i Dortmund mendon se mbi të gjitha skuadra e tij duhet të ndryshojë mentalitet, pasi vetëm kështu do të mund të dominojë mbi bavarezët.
“Analizuam gjithçka shkoi gabim sezonin e kaluar, sidomos në fazën e dytë, ku gabuam shumë. Vjet treguam se jemi baraz me Bayern, duke ngushtuar ndjeshëm diferencën që ekzistonte më parë. Ndaj, këtë vit mund të bëjmë ne diferencën dhe të jemi në fund fitues të Bundesliga”, tha Reus, 30 vjeç.
Kapiteni beson se rikthimi i Hummels dhe afrimet e Julian Brandt, Thorgan Hazard dhe Nico Schulz do ta ndihmojnë skuadrën për të bërë kapërcimin e madh, shkruan syri.net.
“Kemi një ekip më të fortë se një vit më parë, që mund të përballojë me sukses të gjithë sezonin. Tani duhet të kemi mentalitetin e duhur të fituesit dhe të bëjmë realitet ëndrrën e të gjithëve”, tha Reus.