Deklarata e djeshme e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla se kanë dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e ish policit, Dejan Pantiq në qendrën adekuate për mbajtje të paraburgimit, është bërë lajm në mediat ndërkombëtare.
Agjencia e Lajmeve Reuters shkruan se Kosova u ka kërkuar trupave të NATO-s që të transportojnë ish policin serb, i cili u arrestua dy javë më parë, por nuk mund të transferohej diku tjetër, sepse serbët vendas që kërkonin lirimin e tij, ngritën barrikada për të parandaluar zhvendosjen e tij.
Reuters ka transmetuar deklaratën e Sveçlës nga konferenca e djeshme për shtyp në Mitrovicë.
“Ai (Pantiq) duhet të jetë në qendrën e paraburgimit dhe jo në stacion policor dhe për këtë kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë që ta transferojnë në një objekt adekuat”, tha ministri i Brendshëm Xhelal Svecla.
Reuters tutje potencon se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është e vetmja forcë që ka helikopterë dhe se Kosova nuk posedon një të tillë, dhe se i nevojitet leja e NATO-s për të marrë një të tillë.