Agjencia e njohur botërore e lajmeve, Reuters ka shkruar për reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë.
Këtë situatë të krijuar kjo agjensi e quajti krizë energjetike.
“Kompania e shpërndarjes së energjisë KEDS tha se do të ketë ndërprerjet e energjisë në të gjithë vendin si rezultat i prodhimit të ulët vendor dhe çmimeve të larta të importit të energjisë”, shkruan Reuters.
Në shkrimin e tyre, agjensia e lajmeve theksoi se përmes një komunikate, KEDS-i tha se dy orë ndërprerje të energjisë elektrike do të prekin të gjithë brenda 24 orëve të ardhshme dhe do të zgjasin deri në njoftimin e dytë.
Reuters shkruan se Kosova mbështetet në prodhimin e energjisë nga termocentralet e saj të vjetëruara me qymyr.
“Kosova mbështetet në prodhimin e energjisë nga termocentralet e saj të vjetëruara me qymyr. Për të përballuar ndërprerjet, shumë biznese dhe familje në të gjithë vendin sollën gjeneratorë portativë të energjisë.Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike, që sipas kryeministrit Albin Kurti është deri në shtatë herë më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur çmimi i një MË/h ishte rreth 60 euro”, thuhet në shkrimin e tyre.
Tutje, në këtë shkrim thuhet se konsumi i energjisë është rritur pas temperaturave të ulëta.
“Vendi me 1.8 milionë banorë tani po importon rreth 40 përqind të nevojave të tij për energji elektrike. Konsumi i energjisë është rritur në temperaturat nën zero të dimrit kur shumica e konsumatorëve e përdorin atë për ngrohje”, thuhet në shkrim.