Reuters: Të papunë dhe me rrymë të lirë, kosovarët “shpëtimin” e gjejnë tek kriptovalutat

Prishtinë | 16 Qer 2018 | 17:44 | Nga

Çfarë mund të bëni në Kosovë, një prej vendeve më të varfra në Evropë, nëse jeni të papunë por të rinj, ekspertë të kompjuterit dhe shembullorë në anglisht? Madje, edhe nëse jeni sipërmarrës, një industri shtëpiake që mund ta konsideroni është “mihja” e kriptovalutave, apo valutave digjitale.

Ndonëse kriptovaluta më e njohur, bitcoin, ka rënë shumë nën çmimin që e pati kur arriti majën dhjetorin e kaluar, ajo ende mund të sigurojë mbijetesë në një vend që ka penetrimin më të lartë të internetit në Ballkan – dhe energjinë më të lirë elektrike, raporton Reuters.

“Kosovarët e shohin investimin në kriptovaluta si një investim tërheqës”, thotë Ermal Sadiku, inxhinier softuerik dhe ekspert i kriptovalutave. “Tjetra është se ka pasur shumë para të pista në treg – investimi në kriptovaluta ishte mënyrë e shpejtë për t’i pastruar ato”.

Megjithatë, pengesat për të hyrë në këtë biznes nuk janë të papërfillshme.

Bitcoin fitohet – apo “mihet” – duke përdorur kompjuterin tuaj për të ndihmuar në procesimin atyre që njihen si “blockchain” të pathyeshëm apo të dhëna digjitale të transaksioneve që përforcojnë monedhën, transmeton Koha.net.

Kjo kërkon kapacitet të lartë kompjuterik, dhe shumë energji elektrike, dhe prandaj puna më e madhe bëhet me makina të mëdha nëpër depo të mëdha ku klima është më e freskët, siç është Islanda, Kanadaja, Kina veriore dhe Rusia, ku kushton më lirë për të zhdukur nxehtësinë e liruar.

Rryma e lirë

Por Kosova ka një përparësi të madhe: vendi i tretë në Evropë me energjinë më të lirë me rreth 7 euro cent për kilovat-orë (kWh), në krahasim me një mesatare prej rreth 19 centë amerikanë në Britani.

Me atë çmim, për të mihur një bitcoin kushtin mbi 3 mijë dollarë në shpenzime të rrymës, rreth gjysma e vlerës së tregut të valutës.

Pastaj është edhe investimi në pajisje – që do të thotë Kartela Grafike (GPU) – procesorë kompjuterik të prodhuar për vëllime të mëdha të kalkulimeve simultane të nevojshme për lojëra kompjuterike, për shembull.

Kastriot Kolgeci, 26 vjeçar, zhvillues i softuerëve nga Prishtina, thotë se janë bërë bashkë me tre të tjerë për të investuar 60,000 euro për të ndërtuar një kompjuter – apo “rig mihjeje” – brenda një kontejneri ngarkesash, me 480 GPU – thënë ndryshe, fuqi sa për rreth 480 konzola për video lojëra, transmeton Koha.net.

Një tregtar i bitcoinit thotë se një “rig” me 100 GPU mund të ju sjellë rreth 2,700 euro në muaj bazuar në vlerën aktuale të bitcoinit, nëse fatura mujore e energjisë elektrike prej rreth 90 eurosh.

“Kosovarët kanë qejf t’i kopjojnë gjërat shpejt. Nëse një i ri fiton para me monedha, do t’ju tregojë shokëve dhe, me shpejtësi të dritës, të gjithë ata nisin të mihin”, thotë Dite Gashi, themelues i një projekti që mundëson nënshkrimin e kontratave në formë digjitale duke përdorur sigurinë e “blockchainit”.

Mihja e monedhave është e famshme veçanërisht në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe që refuzon të njohë autoritetet e Kosovës, dhe refuzojnë të paguajnë rrymën, transmeton Koha.net.

Jovan Arsiq, student i shkencave kompjuterike që ka bërë mihje që nga viti 2015, ndihmon me ‘riga’ atje. Ai thotë se e di për së paku tri “ferma të mëdha mihjesh” në zonat e populluara me serbë.

Çmimi ka rënë

Ky biznes nuk është më aq profitabil sa ishte në kohën kur bitcoini në dhjetor mbërriti majën duke u tregtuar për rreth 20,000 mijë dollarë, ndërsa tani investitorët brengosen se autoritetet monetare do të gjejnë mënyra për të rregulluar valutën krejtësisht digjitale që anashkalon sistemin bankar global.

Për t’i përkeqësuar edhe më tej gjërat, çmimi për një GPU është rritur dukshëm, nga rreth 100 dollarë sa ishte në 1,000 dollarë për copë, varësisht nga fuqia procesuese, dhe kjo vjen pjesërisht për shkak të kërkesës nga ‘minatorët’ e bitcoinit.

Një “minator” në Kosovë thotë se ia kishte dalë të fitonte nga 500 dollarë në muaj gjatë vitit 2017, që është përafërsisht sa paga mesatare në vend, por tani kjo është përgjysmuar, transmeton Koha.net.

Megjithatë, industria shtëpiake nuk po tregon shenja të zvogëlimit, sidomos për shkak të mungesës së alternativave.

Gjysma e popullatës 1.8 milion banorësh të Kosovës janë nën moshën 25 vjeçare, por gjysmë milioni nga ta janë të papunë. Dhe gjysma e popullatës së rritur thonë se dëshirojnë të ikin jashtë vendit për t’i shpëtuar korrupsionit dhe nepotizmit.

Me një ekonomi kaq të dobët, një pjesë e parave që shkon nëpër “riga” të mihjeve me gjasë rrjedh nga njerëzit që dëshirojnë t’i pastrojnë përfitimet e tyre të dyshimta – – në Kosovë, edhe apartamentet mund të blihen me bitcoin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme