Nuk është fshehtësi të thuhet se më shumë automobila elektrikë do të lansohen në vitin 2019 në krahasim me vitin paraprak. Megjithatë, ata do të mbesin të papërballueshëm dhe jopraktikë për shumicën e blerësve.
Një shpërthim i madh i shitjeve të automobilave elektrikë pritet të ndodhë gjatë vitit 2020, por revolucioni i shumëpritur, i cili e sheh botën të mbushur me automobila të kontrolluar me kompjuterë e automobila tërësisht elektrikë, duket akoma larg në horizont, shkruan sot “Koha Ditore”. Automobilat e kontrolluar nga kompjuterët do të bëjnë përparim të vazhdueshëm drejt automatizimit të plotë edhe në periudhën afatshkurtër, por automobili i parë i tillë në dispozicion për blerje për njerëzit e thjeshtë mbetet më shumë ëndërr se realitet.
Mënyrat e reja për të kaluar nga pika “A” tek “B” duke përqafuar atë që në automobilizëm quhet “lëvizshmëri e përbashkët” duket akoma larg, sipas “Forbes”.
Automobilat me hidrogjen mbesin mundësi për të ardhmen e largët, por një revolucion i mundshëm në industrinë e transportit patjetër se do të udhëhiqet fillimisht nga automobilat elektrikë me bateri. Shumica e prodhuesve liderë të automobilave janë të bindur se publiku do t’i përqafojë së shpejti automobilat elektrikë. Nëse vërehet se parashikimi i tyre është afër realizimit, kompanitë do të “zgjohen shpejtë” nga gjumi për të marrë masa për tregun e ri.