Koeln, 18 shkurt – Kosova pritet “ta humbë” edhe një tjetër yll që po shkëlqen në futbollin evropian, përkatësisht në Bundesligën gjermane.
Golashënuesi më i mirë i Koelnit, Elvis Rexhbeçaj, është njëri prej kandidatëve për ta përfaqësuar Gjermaninë në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Tokio këtë verë.
Rexhbeçaj e ka të drejtën për të luajtur për Gjermaninë në Olimpiadën e Tokios, ndonëse është 23-vjeçar. Ai është vlerësuar shumë për paraqitjet në Bundesligë këtë edicion, sidomos në javët e fundit. Është golashënuesi më i mirë i Koelnit dhe kjo ka bërë që selektori i U-21 të Gjermanisë, Stefan Kuntz, të llogarisë në shërbimet e tij.
Kuntz do ta udhëheqë edhe ekipin olimpik të Gjermanisë. Në turneun e futbollistëve në Lojërat Olimpike, të drejtën e pjesëmarrjes e kanë futbollistët deri në 24 vjet dhe maksimalisht tre lojtarë më të vjetër.
Thirrjen e përzgjedhësit Kuntz e ka konfirmuar vetë mesfushori me prejardhje nga fshati Gjonaj i Prizrenit. Ai është në listën e kandidatëve seriozë për ta përfaqësuar Gjermaninë në Tokio.
Në të vërtetë, Rexhbeçaj nuk ka luajtur ndonjëherë për Kosovën dhe as që e ka pranuar se do të luajë. Por, ka pasur shpresë se ai mund ta zgjedhë Kosovën. Rexhbeçaj nuk ka ndonjë paraqitje me përfaqësuese deri më tani.
“Kam marrë një telefonatë nga Stefan Kuntz në dhjetor, më ka futur në listë. Kjo më bën shumë krenar dhe është një motiv shtesë për mua”, ka thënë numri 20 i Koelnit, Rexhbeçaj.
“Do të ishte ëndërr të luaja për Gjermaninë në Olimpiadë”, theksoi Rexhbeçaj për gazetën gjermane “Kicker”.
Rexhbeçaj ka shkëlqyer sidomos në derbin e fituar si mysafir 2:1 kundër Borussia Monchengladbachut. Ai kishte realizuar dy herë në fitoren që u vlerësua lart nga mediat gjermane. Vëmendje të madhe mori paraqitja e tij. Rexhbeçaj ishte shpallur lojtar i xhiros në Bundesligë.
Pesë golat dhe dy asistimet në elitën e futbollit gjerman e bëjnë Rexhbeçajn golashënuesin më të mirë të Koelnit këtë edicion. Futbollisti i huazuar nga skuadra e Wolfsburgut edhe në Kupë është paraqitur mjaft mirë. Në tri duele të zhvilluara ka shënuar dy gola dhe ka asistuar një herë.
Te Koelni u huazua nga Wolfsburgu në janar të vitit të kaluar, ndërsa do të qëndrojë në klub deri në fundin e këtij edicioni.
Ai ka nisur të bëjë emër dhe të bëhet shumë i dashur për publikun. Ka thënë se tashmë po e njohin edhe më shumë.
“E kam kuptuar se njerëzit po më njohin më shumë se kush jam. Më thonë fjalë të mira, madje ma thërrasin edhe emrin kur më shohin në rrugë”, ka thënë majtaku i Koelnit, të cilit i është dhënë epiteti si “heroi i derbit”.
Koelni, në fakt, e ka mundësinë që ta blejë përfundimisht Rexhbeçajn në fund të sezonit për shtatë milionë euro.
Rexhbeçaj ka kontratë me Wolfsburgun deri në vitin 2023. Te Wolfsburgu i ka kaluar të gjitha grupmoshat, qëkur u transferua nga klubi i parë, Brandenburger SC Sud Youth. Megjithatë, nuk gjeti hapësirë në formacionin e ekipit të parë dhe u huazua te Koelni për t’u zhvilluar si futbollist.
Deri në përfundim të sezonit në Bundesligë ka ende kohë, por për Rexhbeçajn synim mbetet qëndrimi në ligë me Koelnin.
Koelni aktualisht është në vendin e 14-të në Bundesligë. Nga 21 ndeshje ka 21 pikë.
Kosova është në ndjekje të futbollistëve të dalluar, me synim që një ditë ata ta veshin fanellën “verdhekaltër”. Rexhbeçaj, si shumë të tjerë, mbetet në listën e dëshirave.