Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Rexhep Hoxha.
Secili brez në Kosovë e identifikon me librat: Picimuli, Verorja e sidomos Lugjet e verdha; 40 libra e mijëra krijime. Tash e 70 vjet krijoi pa u ndalur pothuaj në të gjitha gjinitë letrare. Ligjeroi letërsinë shqipe për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike, udhëhoqi medie letrare për fëmijë si dhe në Radio Prishtinë.
Në të nëntëdhjetat e tij, ende i qëndrueshëm dhe i kthjellët në mendjen e krijimtarinë e tij, ai do të kujtohet si njëri nga autorët e parë të letërsisë shqipe për fëmijë në Kosovë dhe në ish RSFJ. Ai ishte, si të thuash Rilindës, afirmues, rikrijues nga përrallat popullore për fëmijë duke e ngritur këtë zhanër në librat më të lexuara të letërsisë shqipe për fëmijë.
Rexhep Hoxhën e kam lexuar si voglushe dhe përherë më kanë magjepsur personazhet ekzotike shqiptare në prozë dhe poezitë aq të lehta për tu recituar e për tu mbajtur në mend. Profesorin, pata fatin ta intervistoja para 15 vitesh edhe për gazetën Lajm, njëra nga intervistat e tij të rralla të këtyre dekadave. E kam pasë një miqësi të largët, e kam ligjeruar edhe në universitet. Javën e kaluar, në provimin: Letërsi për fëmijë në Kolegji Fama secilën studente që e pyesja për librat e lexuara, asnjërës pothuaj nuk i mungontë në listë romani Verorja, Lugjet e verdha, apo të dyjat. Vendosa që kur të kthehesha nga pushimi t’i shkoja në hstëpi e t’i tregoja. Sa herë jemi takuar kemi bërë humor. Ndonëse shumë i ashpër në kritikat e shkruara për individë dhe fenomene në Kosovë, profesori i përgjigjej humorit me të qeshura, e qeshur që vinte nga mushkëritë.
Ai ka ditur të rëfuzojë çmime letrare prej mijëra eurosh, thjesht për qëndrimet parimore për të cilat ai mendonte që kishte të drejtë. Nuk kishte pushtet, para, njeri as autoritet që t’ia ndërronte mendjen.
I pakompromis në qëndrimet e tij, edhe atëherë kur nuk pajtohesha aspak apo pjesërisht me qëndrimet e tij, si rrallë kujt ia respektoja. Profesori do të mbetet ekzemplar i rrallë i të mos koketuarit më pushtetin, grupet e interesit, me të keqen.
Një 🌺 kujtese e mirësie për Profesorin!