Me shuplakën e dorës së majtë mbyll gojën. Këtë e bën në hollin e Qendrës Kulturore, fiks përballë fotografisë me portretin e Rexhep Mitrovicës. Veprimi i tij vjen si reagim me habi. Çuditet me famën e gjyshit të tij, emrin e të cilit e mban. Pos tij edhe institucioni ku gjendet ka emrin “Rexhep Mitrovica”, shkruan sot Koha Ditore.
Nipi i ish-kryeministrit shqiptar di shumë pak për gjyshin e tij. Rrallë bën ndonjë pyetje. Bën veshët katër dhe dëgjon ato që i shpjegohen në Qendrën Kulturore në qytetin e Mitrovicës, që e viziton për herë të parë në moshën 59-vjeçare. Një ecje nëpër hollin e objektit, për të është ndërrim hapash nëpër historinë familjare. Drejtori i institucionit, Adem Zhitopotoku, me bashkëpunëtorë i tregojnë për respektin që kanë ndaj personalitetit të Rexhep Mitrovicës.
“E pabesueshme që një ditë do të vija këtu”, është një prej reagimeve të Mitrovicës. Është më emocionali pasi në përgjithësi është goxha i rezervuar e duket goxha i ftohtë përballë së kaluarës. Edhe për këtë ka një shpjegim që e jep më vonë.
Akti i parë
Aktori Rexhep Mitrovica shëtit nëpër sallën e objektit që shfrytëzohet për Teatrin e qytetit verior. Krejt kjo duket sikur të jetë akti i parë i një drame personale, zbulimit të saj. Në një tjetër rrethanë historike, ndoshta pikërisht aty do të zhvillonte karrierën e tij. Kjo do të mundë të ndodhte nëse gjyshi i tij nuk do të renditej në atë që pas Luftës së Dytë Botërore për shumë historianë e studiues do të konsiderohej rruga e gabuar