Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në mes të muajit qershor pritet të vijë në Kosovë.
Vizita e tij, e cila do të jetë e para pas emërimit të tij si përfaqësues, vlerësohet se do të jetë përcaktuese për rifillimin e dialogut mes dy vendeve.
“Z. Miroslav Lajçak planifikon të udhëtojë në rajon në ditët në vijim për t’u takuar me partnerët dhe për të përgatitur bazat për rifillimin e Dialogut në Prishtinë e Beograd dhe të diskutojë mbi modalitetet me palët”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës për Punë të Jashtme në Komisionin Evropian.
Visar Xhambazi nga “Demokraci për Zhvillim” thotë se vizita e Lajçakut konfirmon krijimin e hapësirës për vazhdimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, rreth dy vjet pas pezullimit të tyre.
Ndërsa, sipas Arbër Fetahut nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, vizita e Lajçakut e rikthen në procesin e dialogut Bashkimin Evropian.
Lidhur me atë se a janë të njoftuar për vizitën e emisarit sllovak, televizioni ka pyetur edhe institucionet në vend, qeverinë e presidencën, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Njoftim lidhur me këtë vizitë, siç ka mësuar KOHA, deri më tani nuk kanë marrë asnjë prej subjekteve politike në vend.
Por, përfaqësuesi i BE-së nuk është i mirëpritur në vend nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi.
Ai të hënën ka thënë se dialogu duhet të udhëhiqet nga ShBA-ja.
Dallimi i bërë për një çështje të tillë, sipas njohësve të procesit të dialogut, nuk është në të mirë të vendit.
Për dallim nga Lajçak, me marrjen e detyrës, për vizitë në Kosovë në janar të këtij viti ishte emisari amerikan, Richard Grenell.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim lidhur me ndonjë vizitë të tij gjatë kësaj kohe, por nuk ka pasur përgjigje.