Rezervat dhe sekreti shtetëror, avokati Bajraktari shpjegon kur bëhet përjashtimi nga prokurimi publik

Prishtinë | 20 Gus 2023 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Avokati i njohur, Ardian Bajraktari, ka deklaruar sot se keqleximi i normave bart pasoja dhe përgjegjësi, teksa ka dalë me sqarim se kur bëhet përjashtimi nga procedurat e prokurimit publik, pas dyshimeve për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale pretendon se dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe biznesmeni Ridvan Muharremi ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit, të destinuara për rezerva shtetërore.

Megjithatë sipas tij, prokurimi publik është tërësi rregullash dhe procedurash, përmes të cilave sigurohet mënyrë efikase, transparente dhe e drejtë e shfrytëzimit të fondeve publike, me rastin e kryerjes së punëve apo ofrimin e shërbimeve.

Ai tha se këto çështje në mënyrë të hollësishme i rregullon Ligji për Prokurimin Publik i vitit 2011, “me tri plotësime dhe ndryshime, (një në vitin 2014 dhe dy plotësime në vitin 2016)”.

“Referuar qëllimit dhe frymës si dhe parimeve të ligjit, transparenca d.m.th. procedurat e hapura, me rastin e procedurave të prokurimit si dhe jo diskriminimi, janë parime që duhet ndjekur, për të siguruar që fondet publike të shfrytëzohen drejtë dhe në mënyrë racionale në raport me qëllimin, përkatësisht punën apo shërbimin që duhet kryer”, shkroi ai në Facebook.

Duke reaguar pas çështjes së rezervave shtetërore të cilat konsiderohen si sekret shtetëror, Bajraktari u shpreh se Ligji i Prokurimit Publik përcakton qartësisht përjashtimet nga rregullat e Prokurimit Publik, ku përfshihen edhe furnizimi me pajisje ushtarake.

“Pra, procedura të hapura, janë rregull në procedurat e prokurimit publik, por a ka përjashtime nga ky rregull, natyrisht se ka, dhe këto po ashtu janë rregulluar me ligj dhe krejt çka duhet është të lexohet dhe të interpretohet drejtë. Është neni 3 i Ligjit të Prokurimit publik, (Ligji Nr. 05/L -068, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-042 i vitit 2016), i cili qartësisht përcakton përjashtimet nga rregullat e Prokurimit publik, e ku përfshihen: * Furnizimi i pajisjeve ushtarake, duke përfshirë do pjesë dhe/ose komponente të tij; * Furnizimi i pajisjeve të ndjeshme, duke përfshirë do pjesë dhe/ose komponente të tij; * Punët, furnizimet dhe shërbimet e ndërlidhura drejtpërdrejt me pajisjet e referuara në nënparagrafët 2.1 dhe 2.2, (më lartë), të këtij paragrafi për secilin dhe të gjitha elementet e ciklit të jetës së tij; * Punët dhe shërbimet për qëllime specifike ushtarake; dhe * Punët dhe shërbimet e ndjeshme”, shtoi ai.

“Pra, për më shumë se sa kaq, pjesa tjetër e këtij neni shtjellon në mënyrë të hollësishme rastet, përkatësisht kontratat ku për qëllime të specifikuara më lartë (paragrafin 2 të nenit 3 të Ligjit), mund të ketë shmangie nga procedurat e prokurimit, pra është fusha e sigurisë duke përfshirë inteligjencën si dhe fusha ushtarake ku mund të ketë përjashtime, për më tepër, me një ligj tjetër në mënyrë specifike përcaktohet se procedura është e hapur: “…çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e artikujve (të rezervave shtetërore) duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit, të përcaktuara në Ligjin për Prokurimin Publik…””, tha ai.

Në variantin më të zbutur, sipas tij, “nga informatat që janë publikuar në media lidhur me rastin “rezervat e shtetit”, është keqlexim i nenit 3, (përjashtimi nga rregullat dhe procedurat e prokurimit) të ligjit”.

“Edhe diçka, neni 97, i Kushtetutës që i ka veç dy paragrafë, përcakton: 1. Qeveria, për punën e vet, i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. 2. Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat mbajnë bashkëpërgjegjësinë për vendimet që merr Qeveria, dhe përgjegjësinë individuale për vendimet që marrin në fushat e përgjegjësive të tyre”.

Më herët gjatë 18 gushtit, autoritetet gjyqësore kryen bastisje në MINT dhe tre të arrestuarve u caktuan masën e ndalimit prej 48 orësh.

Aksioni i autoriteteve të rendit në MINT vjen pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Sipas MINT, janë arrestuar dhe kontrolluar zyrat e dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica. I arrestuari i tretë është afaristi dhe pronari i restorantit “Bukë e zemër” në Prishtinë, Ridvan Muharremi.

Sipas ligjit, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile dhe shumë raste tjera të ngjashme.

Të ngjashme