Pas një viti pothuajse krejtësisht pa shi në Sicili, shatërvanët brenda parkut të famshëm arkeologjik të Agrigentos ende po rrjedhin, ndërsa pishinat nëpër hapësirat e hoteleve janë plot. Banorët e ishullit po mbijetojnë siç kanë bërë për dekada, por tani duke ruajtur sa më shumë ujë që munden nëpër rezervuarë. Ndonëse taktikat e banorëve që përballen me mungesë të ujit tani për tani po funksionojnë mirë, ata janë përballur me rrethana jashtëzakonisht të vështira.
Liqenet janë tharë e fushat janë djegur si pasojë e nxehtësisë në Sicili, por ka ende ujë me bollëk për turistët.
Pas një viti pothuajse krejtësisht pa shi në ishullin italian, shatërvanët brenda parkut të famshëm arkeologjik të Agrigentos ende po rrjedhin, ndërsa pishinat nëpër hapësirat e hoteleve janë plot.
Ashtu si në shumë ishuj të Mesdheut, njerëzit në Sicili janë mësuar me periudha të gjata pa shi, por ndryshimet klimatike e kanë bërë motin më ekstrem dhe thatësira mund të jetë më e gjatë dhe më e shpeshtë.
Banorët e ishullit po mbijetojnë siç kanë bërë për dekada, por tani duke ruajtur sa më shumë ujë që munden nëpër rezervuar. Këtë punë e bëjnë aq mirë saqë vizitorët nuk e vërejnë ndryshimin. Por këtë vit, thatësira po vërehet aq shumë sa po i vë banorët në rrezik edhe më të madh.
Rezistenca në një vit të thatë
Thatësira është ndëshkuese. Autoriteti vendor për menaxhimin e ujit po ia del që ta kryejë furnizimin për një milion banorë. Të premten e javës së kaluar anija e parë cisternë e marinës italiane ka mbërritur për të furnizuar 12 milionë litra ujë për banorët më të prekur nga mungesa.
Banorët e Agrigentos janë ndër rezistuesit më të mëdhenj ndaj thatësirës në Itali.
“Askush nuk mund ta përballojë mungesën e ujit më mirë se sicilianët jugorë”, u shpreh Salvatore Cocina, kreu i mbrojtjes civile lokale, i cili ka për detyrë ta bëjë koordinimin për atë pak ujë që ka mbetur në ishull.
Mungesa e ujit nuk është e re pasi në terrenin e Sicilisë jugore nuk ka shumë ujë. Rajoni është gjithashtu i prirë ndaj periudhave të gjata të thata, veçanërisht në verë.
Shumica e banorëve zotërojnë rezervuare private që mund të mbajnë të paktën një mijë litra ujë. Çatitë e qytetit janë të mbushura me rezervuarë të mëdhenj të plastikës, por të tillë mbahen edhe nën tokë në kopshte dhe bodrume.
Pavarësisht urgjencës për furnizim me ujë, turistët nuk ndalen duke i vizituar plazhet e bukura të jugut së Sicilisë, ku gjithashtu informohen edhe për gjurmët e kolonive të lashta greke.
“Nuk pata asnjë problem me ujë”, ka thënë turisti nga Zelanda e Re, Iain Topp, teksa po djersiste nga i nxehti gjatë një vizite në tempullin 2500-vjeçar të Concordit. Megjithatë, ai ka shtuar se i është thënë ta kursejë ujin pasi që mund të ketë mungesë.
Gianluca, një turist italian nga Lodi, i cili nuk e ka treguar mbiemrin e tij, ka theksuar se nuk ka probleme me thatësirën gjatë qëndrimit të tij në këtë zonë.
“Në hotelin ku po qëndroj më thanë se i kanë rezervat e tyre, cisternat e tyre”, është shprehur ai.
Vendi arkeologjik i Luginës së Tempujve, për të cilin drejtori i saj ka thënë se ka tërhequr mbi një milion vizitorë vitin e kaluar, e ka pasur prioritet furnizimin me ujë, kështu që aktualisht nuk vuan nga mungesa e tij.
“Ne kemi ujë 24 orë në ditë. Arkeologët tanë janë në punë, lugina është e hapur edhe natën me shfaqje teatrale. Sa i përket furnizimit me ujë, nuk kemi probleme”, ka theksuar drejtori i Luginës së Tempujve, Roberto Sciarratta.
Ndonëse taktikat e banorëve që përballen me mungesë të ujit tani për tani po funksionojnë mirë, ata janë përballur me rrethana jashtëzakonisht të vështira.
Sipas Departamentit rajonal të mbrojtjes civile, viti 2024 ka qenë viti më i keq për reshjet në më shumë se 20 vjet. Liqeni Fanaco, i cili furnizon me ujë provincën Agrigento, zakonisht ka mbledhur deri në 18 milionë metra kub ujë gjatë një sezoni, ku shi ka rënë nga shtatori deri në prill. Ndërsa në prill të këtij viti liqeni ka pasur përafërsisht 2 milionë metra kub më pak dhe tani është pothuajse plotësisht i tharë.
Në maj, Qeveria pati shpallur gjendje të jashtëzakonshme për thatësirën. Ajo pati ndarë rreth 20 milionë euro për blerje të rezervuarve të ujit, si dhe për të hapur puse të reja.
Edhe temperaturat në jug të Sicilisë aktualisht janë 2 gradë Celsius më të larta sesa mesatarja përgjatë viteve 1991-2020, sipas Indeksit të Ndryshimit të Klimës. Kjo do të thotë se uji avullohet shpejt.
“Nëse nuk bie shi në shtator, do të duhet të fillojmë t’i shfrytëzojmë rezervat kritike. Kjo i bie se jo vetëm liqenet tona, por edhe puset do të shkojnë nën nivelet kritike”, ka sqaruar kreu i mbrojtjes civile lokale Cocina.
Zgjidhjet (s’)po shihen në horizont
Telefoni i Salvatore Di Marias rrallëherë pushon nga zilja. Ai është shofer dhe pronar i një prej flotave kryesore të cisternave të ujit në zonë.
Në një ditë të nxehtë gjatë kohëve të fundit, derisa po e mbushte cisternën e tij të kaltër që shkëlqente në një stacion publik uji për një klient, pranoi një telefonatë.
“Më duhen 12,000 litra ujë”, i tha prerazi një person që e ka thirrur nga një vendpushim turistik.
“Ka një listë pritjeje prej 10 deri në 15 ditë”, qe përgjigja e Di Marias ndaj personit që as nuk iu prezantua.
Të gjithë i kërkojnë ujë. Të gjithë duan të sigurohen që nuk do të mbeten pa ujë. Të gjithë duan t’i kenë cisternat plot dhe cisternat janë mënyra më e mirë për të shpërndarë ujin drejtpërdrejt te banorët pa rrjedhje.
Dhjetëra shoferë cisternash shpejtojnë përgjatë rrugëve gjarpëruese, duke dërguar ujë në zonat prioritare siç përcaktohet nga kompania lokale e ujësjellësit, AICA. Grupet me prioritet më të lartë janë të sëmurët ose të moshuarit, spitalet dhe disa biznese kyçe, siç janë hotelet.
“Emergjenca e thatësirës është një thirrje zgjimi”, ka shpjeguar Settimio Cantone, kryetar i AICA-s. “Rrjeti i ujësjellësit rrjedh 50 deri në 60 për qind të ujit të tij. Tani po hapim puse të reja, po rregullojmë të gjithë ujësjellësin dhe po riaktivizojmë një impiant shkripëzimi me fondet e emergjencës. Kjo do ta bëjë krahinën tonë më të pavarur”, ka shtuar ai.
Ndërsa drejtori i qendrën Euro-Mesdhetare për ndryshimet klimatike, Giulio Boccaleti, ka thënë se faji nuk qëndron vetëm te ndryshimet klimatike. Sipas tij, edhe infrastruktura duhet të jetë më e re.
“Sicilia cenohet për shkak të tubave që rrjedhin dhe infrastrukturës së vjetërsuar dhe të vogël. Nuk është problem vetëm klima”, ka thënë Boccaleti.
Përveç mbushjes së cisternave, disa banorë të Agrigentos shpesh e vizitojnë shatërvanin e vetëm publik që ka mbetur i hapur në qytet, për të mbushur kazanë me ujë.
Një ndër këta banorë që mbush kazanët nga shatërvani Bonamorone dy-tre herë në ditë është edhe Nuccio Navarra.
Ai ka theksuar se zgjidhje tjetër nuk ka, pasi me ujë furnizohet një herë në dy javë.
“Në shtëpinë time ne furnizohemi me ujë çdo 15 ditë dhe presioni është shumë i ulët. Ata që jetojnë në katet e sipërme nuk mund t’i mbushin cisternat, andaj detyrohemi t’i mbushim kazanët në fontanë”, ka rrëfyer ai.
Shkencëtari i klimës, Boccaleti, ka frikë për të ardhmen, megjithëse ka vënë në dukje se rregullimi i infrastrukturës ujore dhe investimi për të përshtatur bujqësinë dhe inxhinierinë, siç shpreson të bëjë AICA, mund t’i kompensojë disa shqetësime.
Sipas Panelit Ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, pellgu i Mesdheut do të përjetojë temperatura më të larta, më pak reshje dhe rritje të vazhdueshme të nivelit të detit gjatë dekadave të ardhshme.
Sipas këtij grupi, rajoni është një pikë e nxehtë e ndryshimeve klimatike për shkak të cenueshmërisë së shoqërisë dhe ekosistemeve.
“Ajo që dikur ishte e jashtëzakonshme tani është normalja e re”, është shprehur Boccaleti.