Një muaj luftë. Shumë sfida. Me qeverinë e saj ende në këmbë e me trupat e saj të shumta që luftojnë forcat ruse deri në ngërç të përgjakshëm, Ukraina është e tmerruar, e plagosur dhe mban zi për të vdekurit, ama nuk e ka ndërmend të dorëzohet.
Kur Rusia e nisi pushtimin e saj më 24 shkurt, në ofensivën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe vuri në dukje perspektivën e përshkallëzimit bërthamor në rast se Perëndimi do të ndërhynte, dukej e mundshme përmbysja e rrufeshme e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës.
Mirëpo, me të mërkurën që shënoi, katër javë të plota luftime, Rusia është zhytur në fushatë ushtarake të rëndë, me numër të pallogaritshëm të vdekurish, me fund të menjëhershëm në horizont dhe me ekonominë e saj të gjymtuar nga sanksionet perëndimore.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe aleatët kryesorë do të takohen në Bruksel dhe në Varshavë këtë javë për t’i diskutuar masat e reja të mundshme ndëshkuese dhe më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Derisa Biden u largua nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën për fluturimin drejt Evropës, ai ka paralajmëruar se ekziston një “kërcënim real” që Rusia mund të përdorë armë kimike dhe ka sqaruar se do ta diskutojë këtë çështje me liderët e tjerë.
Valët tronditëse ekonomike dhe gjeopolitike të luftës – me çmimet në rritje të energjisë, frikën për furnizimet globale të ushqimit, dhe Rusinë e Kinën që radhiten në një rend të ri botëror me jehonën e Luftës së Ftohtë – kanë jehuar të gjitha në një planet që ende nuk ka dalë nga kriza e COVID-19.
Me bluzat e tij ngjyrë ulliri, fytyrën e parruar dhe thirrjet e zëshme drejtuar qeverive në mbarë botën për ndihmë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, është shndërruar në një lider të kohës së luftës dhe antagonist nr. 1 i presidentit rus Vladimir Putin. Duke iu drejtuar Parlamentit japonez të mërkurën, Zelenskyy ka treguar se katër javë luftë janë vrarë mijëra, duke përfshirë të paktën 121 fëmijë të Ukrainës.
“Njerëzit tanë nuk mund t’i varrosin në mënyrë adekuate të afërmit, miqtë dhe fqinjët e tyre të vrarë. Ata duhet të varrosen pikërisht në oborret e ndërtesave të shkatërruara, pranë rrugëve”, ka theksuar ai.
Të shtyrë në mënyrë të përsëritur nga njësitë ukrainase të armatosura me armë të furnizuara nga Perëndimi, trupat ruse po bombardojnë objektivat nga larg, duke u rikthyer në taktikat që përdorën për shndërrimin e qyteteve në gërmadha në Siri dhe Çeçeni.