Kriza e rezistencës ndaj antibiotikeve nuk po nxitet vetëm nga mbipërdorimi i këtyre ilaçeve, por edhe nga një brishtësi e zinxhirit të furnizimit qe sipas eksperteve është në rrezik kolapsi.
Mungesa e disa medikamenteve specifike që mund të çojë drejt gabimeve siç është dhënia e një mjekimi më pak të duhur për një infeksion, apo përdorimi i dozave më të vogla nga sa do të ishte e këshillueshme, janë faktorë që shtojnë gjasat e rezistencës dhe vonesave në trajtim.
Mungesa e disa ilaçeve të caktuara në treg siç është benzathine penicillin G, e cila nuk gjendej më në tregun e 39 vendeve në 2015-tën, përfshirë Indinë, Australinë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po kthehet në një fenomen shqetësues.
Ajo është i vetmi medikament që mund të parandaloje përcjelljen e sifilizit nga nëna tek foshnja. Mungesat e këtij ilaçi koinçiduan me shtimin e rasteve të kësaj sëmundjeje në Brazil, çka rezultoi me rritjen e numrit të fëmijëve me defekte në lindje.
Aktualisht, janë më shume se 100 ilaçe, përfshirë një numër antibiotikësh, të cilat sipas Administratës Amerikane të Barnave dhe Ushqimit, nuk gjenden lehtë në treg. Në këtë situatë kanë ndikuar një sërë faktorësh, përfshirë faktin që krijimi i antibiotikëve të rinj është i kushtueshëm e me rrezik, dhe produktet më të fundit nuk përdoren gjerësisht për shkak të frikës nga rezistenca e krijuar.