Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se për shkak të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi duhet të jetë efikas dhe se për këtë në rend dite ka paraparë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.
“Pra, për shkak të rrethanave në të cilat jemi si Kuvend i Republikës së Kosovës, për shkak të një afati kushtetues në raport me zgjedhjen e presidentit apo presidentes, mendoj që edhe Kuvendi duhet të jetë efikas dhe t’i adresohet përgjegjësitë që i ka para vetes. Në këtë drejtim, unë sot përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, që janë pika të zakonshme në secilën seancë të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në këtë rend dite kam paraparë edhe disa pika që ndërlidhen me katër marrëveshje ndërkombëtare që nuk arritën që t’i ratifikojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës në seancën e kaluar për shkak të mungesës së kuorumit”, tha ajo.
Haxhiu, ka folur edhe për rezolutën e PDK-së, ku tha se u propozua që të jetë pikë e parë e rendit të ditës në seancën e së premtes, por për shkak që nuk pati dakordim rendi i ditës nuk u miratua.
“Pastaj votimi i propozim-rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës që kishte një debat në seancën e kaluar. Zgjedhja e një anëtari jo-prokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, që është proces shumë i rëndësishëm. Shqyrtimi i propozim-rezolutës për mbrojtjen e vlerave historike të luftës në Kosovë 1998-1999 dhe disa propozime për anëtarë në komisionet parlamentare. I gjithë diskutimi që nga fillimi i kësaj mbledhje ishte që rezoluta e përmendur më herët, pra për mbrojtjen e vlerave historike të luftës në Kosovë 1998-1999, të jetë pika e parë e rendit të ditës apo pika e fundit. Pra, për shkak se nuk pati dakordim për këtë çështje, nuk arriti që rendi i ditës të miratohet në Kryesinë e Kuvendit.
Unë bëra përpjekje maksimale që ta gjejmë një konsensus sepse bazuar edhe në diskutimet që ne i kemi pasur në seancën paraprake kur është propozuar kjo rezolutë, kam propozuar që mos të vendosim a të jetë pikë e parë pas pyetjeve parlamentare apo pikë e fundit e asaj seance. Nuk pati dakordim. Pra, nuk pati dakordim në kërkesën time sepse kishte një grup parlamentar, siç ishte PDK-ja që insistonte që kjo të jetë pikë e parë dhe në anën tjetër nga Vetëvendosje që kjo të radhitet në fund të rendit të ditës.
Unë propozova që kurdo që grupi që mblidhet e përfundon punën, të vijë në seancë, ne në çfarëdo pike që jemi mund ta trajtojmë dhe nëse ka dakordim ta votojmë. Pra, po të mirëkuptoheshim në atë kohë, pra po të kishte konsideratë në raport me propozimin që bëra, tash kjo rezolutë nuk do të ishte çështje e diskutueshme po do të miratohej në seancën e ardhshme”, tha ajo.
