Me rezoluta, Kosova “lehtëson” lidhjet me Shqipërinë

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 15:55 | Nga

Kuvendi i Kosovës ka shprehur vullnetin politik përmes një rezolute të miratuar ditë më parë, për heqjen e tarifave të roming-ut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Po ashtu, përmes një rezolute ishte kërkuar edhe heqja e tërësishme e kontrollit në kufirin Kosovë – Shqipëri.

Tarifa e Roming-ut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Por, deri te zbatimi i rezolutave ka edhe disa procedura të cilat tani duhet të kalojnë përmes qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se çdo vendim i Kuvendit është obligativ për ekzekutivin.

“Lidhur me roming-un, qeveria praktikisht si përgjegjëse ndaj vendime të Kuvendit, e bartë tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ata e transferojnë vendimin si të obligativ për zbatim. Kurse vendimi për heqjen e tërësishme të kontrollit në kufirin Kosovë – Shqipëri, shkon përmes doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Këta janë mekanizmat përmes të cilëve zbatohen vendimet për këto çështje”, theksoi Shatri.

Ndërkohë, nga ekspertë të fushës së telekomunikimit si dhe ata të ekonomisë, rezolutat në fjalë po shihen si pozitive për faktin se praktika të tilla kanë ndjekur tashmë edhe vende evropiane.

Agron Dida, ekspert për çështje të telekomunikacionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se heqja e roming-ut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.

“Ky hap i Kuvendit të Kosovës është më të vërtetë i qëlluar. Të gjithë ne kemi qenë në Shqipëri për pushime për punë e biznes dhe atëherë e kemi pas një eksperiencë të keqe për roming-un jashtëzakonisht i shtrenjtë të bisedimeve telefonike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ky është interes i qytetarëve dhe bizneseve që të kenë komunikime të lira. Po ashtu, kjo është në pajtim edhe me zhvillimet në Bashkimin Evropian ku janë hequr tërësisht tarifat e roming-ut për anëtarët e BE-së”, thotë Dida.

Ky veprim, shton Dida, duhet të zgjerohet edhe me vendet fqinje në mënyrë që të krijohet një situatë më e volitshme e komunikimit.

“Duhet bërë çmos që diplomacia jonë të veprojë me partnerët e tyre në Shqipëri dhe të ecin përpara. Unë mendoj që vetëm interesat e operatorëve janë në pyetje këtu që nuk do të dëshironin të bënin këtë veprim i cili është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve. Kosova ka nevojë për komunikime më botën e veçanërisht me Shqipërinë është në interes kombëtar dhe në çdo aspekt tjetër të bëhet një gjë e tillë”, shton Dida.

Ndërkohë, sa i përket rezolutës për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Kosovës dhe Shqipërisë, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është një vendim i qëlluar dhe se vendime të tilla duhet të merren edhe me vendet tjera fqinje.

“Heqja e kontrolleve kufitare është praktikë e Bashkimit Evropian e cila ndikon pozitivisht në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe e nxit bashkëpunimin ekonomik dhe tregtarë ndërmjet dy shteteve. Heqja e kontrolleve permanente kufitare nuk do të thotë se do të zbehet lufta për luftimin e kontrabandës dhe krimit ndërkufitar pasi që njësitet policore prapë do të mbeten në pikat kufitare dhe kontrollet do të jenë rutinore ndaj atyre që dyshohet se bëjnë kontrabandë dhe shkelin rregullat”, thotë ai.

Sipas tij, kjo do të ndihmojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe në asnjë mënyrë nuk do të ngitë nivelin e kontrabandës apo krimeve tjera ndërkufitare. Gashi shton se edhe vendet më të sigurta në botë, siç janë vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë kontrolle të tilla.

“Kosova duhet të ketë marrëveshje të tilla edhe më vendet tjera fqinje pasi që ne po aspirojmë drejt BE-së dhe kjo është një praktikë evropiane. Unë mendoj se heqja e kontrolleve permanente nuk nënkupton zvogëlim e luftimit të kontrabandës.

Bashkëpunimi policor dhe bashkëpunimi ndërmjet organeve të drejtësisë dhe sigurisë ndërmjet dy vendeve mund ta ashpërsojë luftën kundër krimit dhe kontrabandës dhe nuk mendoj se heqja e kontrolleve rutinore kufitare do të ndikojë në rritjen e shkallës së krimit ndërkufitar”, thekson Gashi .

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore. Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, por edhe në fusha tjera.

Megjithatë, vlerësohet se këto dy shtete gjatë shkëmbimeve tregtare, vazhdojnë të hasin në vështirësi dhe konsiderohet se nuk kanë arritur të kenë marrëdhënie tregtare në nivel të kënaqshëm.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit e produkteve të cilat importohen nga Shqipëria në vit kapin vlerën e mbi 99 milionë, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri janë vetëm 15 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme