Emisari special i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë -Serbi ka anuluar një vizitë në Prishtinë për shkak të ngërçit që po mbretëron në mes të VV’së dhe LDK’së për formimin e Qeverisë së re. Një zyrtar i Ambasadës së SHBA’së në Berlin ka thënë se vizita është anuluar sepse jo të gjithë në Kosovë kanë qenë të gatshëm që ajo të realizohet.
Vonesat në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kanë bërë që edhe ambasadat e huaja dhe ndërkombëtarët të angazhohen me qëllim të arritjes së një koalicioni në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ditë më parë në Berlin, emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, kishte pritur nënkryetarin e LDK’së, Agim Veliun, dhe dy anëtarët e kryesisë, Avdullah Hotin dhe Skënder Hysenin, me të cilët kishte folur rreth bisedimeve për krijimin e qeverisë së re.
Duke parë një situatë të tillë, Richard Grenell, kishte planifikuar edhe një vizitë në Kosovë, megjithatë e ka anuluar, pasi siç thonë nga zyra në Berlin, jo të gjitha palët kanë qenë të gatshme.
Një gjë të tillë për Gazetën Express e kanë konfirmuar nga zyra e ambasadorit Grenell në Berlin.
Anulimi i kësaj vizite të ambasadorit të SHBA’së në Berlin ka ndodhur pasi jo të gjitha palët kanë qenë të gatshme, por pa e specifikuar se cilat palë.
“Në përgjigje të pyetjes tuaj, unë mund t’iu them se ne e kemi anuluar udhëtimin e fundit sepse jo të gjitha palët nuk ishin të gatshme, fatkeqësisht”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i Përfaqësuesit Special, Dick Custin.
Grenell para pak ditësh kishte pritur në Berlin tre zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilët kishte diskutuar edhe rreth çështjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor, ndërkohë vendi vazhdon të mbetet pa institucione për më shumë se 3 muaj.