Riemërimi i Arben Vitisë shkakton reagime: “Sipas këtij ligji, ai nuk ka të drejtë të bëhet ministër”

Prishtinë | 26 Dhj 2022 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Riemërimi i Arben Vitisë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë më shumë se një vit pas dorëheqjes nga kjo pozitë, ka ngjallur reagime në rrjetet sociale. Lëvizjen e kryeministrit Albin Kurti e kanë komentuar analistë, deputetë dhe folës të tjerë publik.

Gazetari dhe opinionisti politik, Imer Mushkolaj ka ngjallur dyshime për ligjshmërinë e riemërimit të Vitisë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Mushkolaj ka deklaruar se duke u bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, Arben Vitia nuk “ka të drejtë të bëhet prapë ministër”.

“Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, po del që Arben Vitia nuk ka të drejtë të bëhet prapë ministër. Nejse, unë jurist nuk jom”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka ironizuar me rikthimin e Arben Vitisë në kabinetin qeveritar.

Ajo e ka cilësuar një “lojë ministrash” vendimin e kryeministrit Kurti për t’ia besuar sësrish Vitisë pozitën e ministrit.

“Luajmë ministrash”, ka shkruar shkurtimisht deputetja Hoxha.

Emërimin e Arben Vitisë në Ministrinë e Shëndetësisë e ka konfirmuar sot Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në njoftim.

Arben Vitia kishte dhënë dorëheqje në tetor të vitit 2021 nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale ku garonte për të parin e Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këto zgjedhje u mposht nga kandidati i LDK-së, Përparim Rama.

Të ngjashme