Gjykata e Beratit ka dhënë sot masat e arrestit për tre të ndaluarit e dyshuar së hodhën në treg 21 tonë mandarina me pesticide të cilat ishin kthyer nga Kroacia.
Seanca e caktimit të masës së sigurisë u zhvillua me dyer të hapura.
Në fund të saj, gjykata vlerësoi si të vlefshme arrestimet dhe la në fuqi masën arrest me burg për tre personat e arrestuar Arben Dyli, Elton Tafaj dhe Elson Tahiraj.
Gjatë seancës avokatët mbrojtës i quajtën të ndaluarit viktima të luftës tregtare të konkurrencës me qëllim dëmtimin e tregtarëve vendas.
Madje avokati mbrojtës i Arben Dylit hodhi dyshime në vërtetësinë e analizave të shtetit kroat.
Ndërsa në fjalën e tij përpara trupit gjykues, Dyli u shpreh se nuk e dinte që duhej njoftuar AKU pasi iu kthye produkti mandarinës.
Fermeri i arrestuar Elton Tafa u shpreh se i është bërë padrejtësi nga AKU pasi i ka treguar që mandarinat ishin prishur e kalbur.
“Mu thye zemra kur i hodha sepse ishte djersa ime”, ka thënë ai.
Tafa kishte debatuar me Dylin pasi dyshonte që mandarinat e kthyera mbrapsht nuk ishin të tijat, e megjithatë ai e mori të mirëqenë dhe i hodhi në plehra.
Pavarësisht mbrojtjes dhe deklarimeve të të arrestuarve, gjykata vendosi masën e arrestit me burg./A2CNN