Instituti “Riinvest” të martën ka mbajtur debatin për Draftin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028, në kuadër të tryezës së Riinvest Debates dhe projektit Policy Answers, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028 është dokument strategjik, i cili ofron vizionin për zhvillimin e sektorit të kërkimit shkencore dhe inovacionit në Kosovë, qasjen ndaj zgjidhjeve të problemeve dhe orientimin e politikave strategjike dhe buxhetore.
Po ashtu u tha se Drafti i Programit Kombëtar të Shkencës merr një rëndësi të veçantë ngase vjen në një kohë kur Kosova duhet të bëjë kthesa vendimtare në mbështetjen e fushës së kërkimeve dhe inovacioneve në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik si dhe për të rritur pjesëmarrjen e saj ende modeste ne Hapësirën Evropiane të Kërkimeve (ERA).
Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Albert Hashani tha se Plani Kombëtar i Shkencës ka një rëndësi të madhe dhe do të ndikojë në rritje ekonomike, me ç’rast do të përfshihen edhe të rinj inovativ.
Sipas tij, Programi Kombëtar i Shkencës ndërlidhet me Agjendën e Integrimit Evropian dhe është hartuar bazuar në Ligjin për Veprimtari Kërkimore-Shkencore.
Hashani sqaroi se në gjashtë vjet parashihen të ndahen më pak se 90 milionë euro, pra mesatarja më pak se 14 milionë euro në vit.
“Fushat e parapara të janë në linjë të agjendës së Ballkanit Perëndimor. Siç evidentohet në programin kombëtar të shkencës është zbatuar pjesërisht dhe duhet të analizohen ngecjet. Jemi të vetëdijshëm se Plani Kombëtar i Shkencës ka një rëndësi të madhe për të rritur ekonominë me ç’rast do të përfshihen edhe të rinj inovativ”, tha Hashani.
“Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028 përmban disa objektiva strategjike për fushat prioritete, të cilat adresojnë problemet kyçe dhe janë të fokusuara në zhvillimin e sistemit kërkimor dhe inovacionit ne Kosovë. Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028 ndërlidhet me Agjendën e Integrimit Evropian dhe është hartuar bazuar në Ligjin për Veprimtari Kërkimore-Shkencore”, tha tutje Hashani, teksa pati vërejtje edhe për buxhetin e vogël të këtij programi.
“Për ta parë se sa prioritet e kanë, është mirë me e shikuar buxhetin. Nëse e shohim buxhetin ose kërkesat buxhetore që ky program i ka për zbatim janë modeste. Në gjashtë vjet parashihen të ndahen më pak se 90 milionë euro, pra mesatarja më pak se 14 milionë euro në vit”, tha Hashani.
Isuf Berisha anëtar i Bordit të Institutit “Riinvest”, dha disa komente për programin, duke e quajtur këtë rast ideal për zhvillimin e shoqërisë kosovare.
“Mund të thuhet që në fillim se në këtë program kombëtar të shkencës nuk gjejmë një artikulim të një vizioni zhvillimor të Kosovës i cili do të shërbente si orientim për përcaktimin e prioriteteve sektoriale të objektivave strategjike të zhvillimit të hulumtimeve dhe inovacioneve”.
“Këshilli Kombëtar i Shkencës në këtë rast i referohet strategjisë kombëtare të zhvillimit të Kosovës deri në vitin 2030 si dhe strategjive tjera sektoriale, por a mjafton kjo kur as në këtë strategji nuk kemi artikulim të qartë të një vizioni të zhvillimit të shoqërisë kosovare. Hartimi i programit kombëtar të shkencës është një rast ideal për të reflektuar dhe artikuluar një vizion të qartë të zhvillimit të shoqërisë sonë për të identifikuar vlerat me të cilat do të orientohet ky zhvillim”.
Ligjëruesja në Fakultetin Politeknik të Milanos, Gresa Latifi, tha se për hartimin e një plani strategjik afatgjata kaq të kushtueshëm kërkon vlerësim real të gjendjes në terren.
“Unë konsideroj që ky dokument është i argumentuar mirë por edhe paraqet një dokument mjaft ambicioz për zhvillimin e shkencës përgjatë shtatë vjeçarit të ardhshëm. Gjithsesi janë disa aspekte esenciale me të cilat meritojnë akoma vëmendje. Së pari për hartimin e një plani strategjik afatgjata kaq të kushtueshëm kërkon vlerësim real të gjendjes në terren”.
“Unë konsideroj se një pikë fillestare prej nga dokumenti do duhej nisej, do duhej të ishte përmbledhja e një bazë ku jo vetëm që do të rishikohet literatura aktuale mbi gjendjen e arsimit të lartë në Kosovë, por edhe një diskutim shumë gjerë me shkencëtarë, qoftë ata të suksesshëm, por edhe me ata që nuk kanë arritur të kenë performancë të mirë”, tha ajo.