Instituti Riinvest ka organizuar një tryezë për të ardhmen e Tregut të Përbashkët Rajonal, nga ku ka dhënë edhe rekomandime për integrim më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian, raporton Ekonomia Online.
Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Institutit Rinvest tha se Procesi i Berlinit ka krijuar një platformë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit si dhe shteteve të BE-së.
“Në një periudhë kur procesi i zgjerimit të BE-së po përballet me sfida të llojllojshme, por edhe po nxit vështirësinë te vendet aspiruese, kjo iniciativë synonte që të mbante rajonin të ankoruar në perspektivën evropiane dhe të forconte bashkëpunimin.Procesi i Berlinit ka krijuar, për rrjedhojë, një platformë të rëndësishme bashkëpunimi midis vendeve të rajonit, shteteve anëtare të BE-së, institucioneve evropiane dhe rajonale, institucioneve financiare ndërkombëtare, sektorit privat dhe shoqërisë civile”, tha Hashani.
Ai përmendi se cilat fusha kanë qenë në kyçe në Procesin e Berlinit.
“Fokusi ka qenë në disa fusha kyçe si ndërlidhja infrastrukturore dhe energjetike, bashkëpunimi ekonomik, shoqëria civile dhe mobiliteti, si dhe një synim i integrimit gradual të rajonit në tregun unik evropian. Pas më shumë se një dekade, pra që nga viti 2014, Procesi i Berlinit ka arritur disa suksese të rëndësishme, të cilat e kanë përmirësuar këtë bashkëpunim në rajon, të cilat kanë qenë disa suksese të konkretizuara në disa fusha, veçanërisht në infrastrukturë, në ndërlidhje infrastrukturore por në fushën veçanërisht të telekomunikimit, pra për roaming-un; të mobilitetit, për lëvizjen e lirë me karta identiteti ndërmjet anëtarëve të Ballkanit Perëndimor; me këto ‘green lanes’ apo shtigjet e gjelbra të lëvizjes së mallrave; njohjen e diplomave, sistemin e pagesave, etj. Megjithatë, këto janë përballur me disa sfida, veçanërisht në fushën e mobilitetit, ku kemi ende moszbatim të marrëveshjeve, veçanërisht të njohjes së kartave të identitetit dhe targave të Serbisë në raport me qytetarët e Kosovës.”, tha Hashani.
Visar Vokrri drejtor programor në Instituti Riinvest tha se kanë organizuar takime të rregullta me shoqëritë civile për ide dhe rekomandime në vendimmarrje.
“Gjatë këtyre dy viteve, ne kemi organizuar takime të rregullta konsultative, tryeza diskutimi me akterë të ndryshëm nga shoqëria civile, në mënyrë që t’i shkëmbejmë idetë edhe kështu, së bashku, t’i artikulojmë rekomandimet që janë të nevojshme për vendimmarrësit, me qëllim avancimin e bashkëpunimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor. Tregu i përbashkët rajonal, si një shtyllë e rëndësishme e integrimit ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor, është instrument kyç për përshpejtimin e konvergjencës në Bashkimin Evropian, duke lehtësuar lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Tregu i përbashkët rajonal synon të transformojë tregjet lokale të fragmentuara në një hapësirë ekonomike rajonale më të integruar, të aftë për të tërhequr investime edhe për të rritur produktivitetin, edhe gjithsesi për të forcuar konkurrueshmërinë”, tha Vokrri.
Disa prej rekomandimeve që Vokrri paraqiti janë prioritizimi i marrëveshjeve të tregut rajonal për të forcuar kapacitetet institucionale dhe vullnetin politik.
“Organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor njëzëri mendojnë se duhet të prioritizohet zbatimi i marrëveshjeve të tregut rajonal, duke forcuar kapacitetet institucionale edhe vullnetin politik. Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të angazhojnë staf të kualifikuar dhe të krijojnë mekanizma të qartë mbikëqyrës për të siguruar që marrëveshjet e tregut të përbashkët rajonal përkthehen në integrim real dhe të prekshëm të tregut. Gjithashtu, duhet përshpejtuar harmonizimi i politikave dhe të eliminohen praktikat preferenciale dhe proteksioniste, të cilat veçse po e fragmentojnë edhe më shumë tregun. Qeveritë duhet të eliminojnë gradualisht gjithashtu praktikat e njëanshme në prokurimin publik dhe kuotat që favorizojnë vetëm aktorët vendorë, dhe gjithashtu të standardizojnë rregullat e investimeve ndërkufitare. Kjo qasje e unifikuar do të rrisë konkurrencën dhe do të mundësojë bizneset të operojnë lirshëm në gjithë rajonin. Suksesi i tregut të përbashkët rajonal varet nga fuqia e bizneseve vendore”, shtoi Vokrri
Jeton Zulfaj, Koordinator për Procesin e Berlinit, Zyra e Kryeministrit tha se ka pasë marrëveshje viteve të fundit rreth lëvizjes së lirë dhe në arsim.
“2020 është kur kjo është konkretizuar në Samitin e Sofjes si iniciativë nga Bashkimi Evropian, me rregullat, standartet edhe vlerat e Bashkimit Evropian. Dhe kjo është e rëndësishme. Prej atëherë ka pasur projekte konkrete, pesë marrëveshje që i kemi arritur: tri në nëntor të vitit 2022 për lëvizjen e lirë me ID, kartat e identitetit, për njohjen e profesioneve dhe për njohjen e institucioneve të arsimit të lartë. Pastaj, në 2023-tën edhe 2024-tën kemi arritur edhe dy marrëveshje tjera, ku në 2024-tën kemi shtuar profesionet dhe në 2023-tën e 2024-tën e kemi edhe një marrëveshje për qasjen në studime. Kjo e fundit, përderisa marrëveshja e parë prekte institucionet e arsimit të lartë ose universitetet, kjo e 2024-tës do t’i prekë shkollat e mesme”, tha Zulfaj.



